Kinematografia LGBTQ+ shqip

“I Love You More” është filmi më i ri nga skenaristi dhe regjistori shqiptar i Kosovës Erblin Nushi.
Filmi do të jepet premierë në Vancouver Queer Film Festival me 12 gusht në Kanada.

Ky film i veçantë është frymëzuar nga një histori personale, duke na kujtuar pranimin universal të kërkimit për dashurinë e parë, një ndjenjë që të gjithë duhet ta përjetojmë njësoj.
Bashkohuni në këtë udhëtim me Benin, një adoleshent kosovar, që me guxim e hedh veten në rrugë për dashurinë ndaj një djaloshi që nuk e ka takuar kurrë.
Filmi pritet që të vijë në kinematë shqiptare në fund të gushtit, ndërsa ai do të transmetohet edhe në Shqipëri por edhe në Kosovë.
Kinematografia Shqiptare LGBTQ+
Edhe pse nuk është shumë e zhvilluar në Shqipëri e Kosovë janë bërë tentative të suksesshme të kinematorafisë LGBTQ+.
“Aroma e Trëndafilit të Kuq”

Lumturi, ankth dhe një histori dashurie që i zhvillon personazhet drejt një fundi të lumtur, që nuk dihet nëse do ta gjejnë.
Fiori është një shitëse lulesh në një qytet provincial, ndërsa Era, një punonjëse librarie. Të dyja krijojnë një ndjenjë të forte, kur Era ndalon krejt rastësisht në dyqanin e luleve.
Miqësia forcohet në një udhëtim, kur Fiori ofrohet ta ndihmojë të zbulojë bukuritë e revierës. Pjesa tjetër është një histori dashurie plot ndjenjë dhe sensualitet, që nuk dihet si do të përfundojë, përderisa zhvillohet në një ambjent maskilist, ku seksualiteti ekziston vetëm mes gjinive të ndryshme.
Filmi është me regji dhe skenar të Aurel Naqi, i cili jeton në Amerikë.
“Të them të drejtën nuk e kisha mendjen te paragjykimi, por e kjisha mendjen te të sjellurit në mënyrë sa më origjinale atë gjë dhe besoj se do realizohet dhe do dali qëllimi që do kisha, jo vetëm unë, por edhe Enxhi që publiku ta kuptoj në ato momente që këto vajza realisht ndiejnë diçka për njëra-tjetrën aty, e mos të shikojnë dy aktore që po realizojnë atë skenë”-tha aktorja Xhulia Musagalliu pas publikimit të filmit.
“MARTESA’

Një tjetër prodhim është filmi “Martesa” me skenar të Blerta Zeqirit.
Regjisorja e filmit, Blerta Zeqiri foli në 2018 kur edhe u prodhua filmi për rëndësinë e tematikës, duke ngjallur interes për shkak të mentaliteti të popullit të Kosovës: “Anëtarët e komunitetit LGBT, edhe pse të mbrojtur nga ligjet e Kosovës, janë kërcënuar vazhdimisht, poshtëruar dhe sulmuar fizikisht, ndaj të cilëve shteti e bën njërin sy të verbër. Fshehja e identitetit të tyre mbetet e vetmja mënyrë për të mbijetuar në këtë mjedis, duke detyruar një numër të madh njerëzish homoseksualë të martohen me një partner të një seksi tjetër, gjë që kthehet në një dëm kolateral.”
Filmi trajton historinë e Bekimit dhe Anitës të cilët janë duke u përgatitur për tu martuar.
Bekimi më parë kishte një histori dashurie me Nolin, për të cilën Anita nuk kishte dijeni. Por, teksa çifti në prag të dasmës po bën përgatitjet e fundit, Noli kthehet sërish në jetën e Bekimit duke e bërë atë konfuz për martesën.
Gjërat komplikohen më shumë, teksa Anita mendon se Nolit i është thyer zemra nga një femër, madje e këshillon atë të luftojë për të dhe ta ndjekë.
“SkaNdal”

“Skandal” është një film dokumentar i pari në Shqipëri me tematikë “LGBTQ+” dhe që tregonte fillimet e lëvizjes në Shqipëri.
Filmi sjell arkiva dhe rrëfime të aktivistëve LGBTQ+ në vendin tonë, ndërsa është vlerësuar me disa çmime në festivalet e filmave.
Me regji të Elton Baxhakut dhe Eriona Camit dhe skenar të Kristi Pinderit dhe Xheni Karajt, ‘SkaNdal’ ishte i pari dokumentar shqiptar që në vitin 2014 u përzgjodh në konkurrimin zyrtar të edicionit të 20-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë./ HistoriaIme