Të drejtat e punëtorëve LGBTIQ+: Zhvillohet në Tiranë, trajnim dy-ditor me përfaqësues të Sindikatave nga Ballkani Perëndimor
Në datat 8-9 Shkurt 2023, u zhvillua në Tiranë trajnimi dy-ditor me fokus të drejtat e punëtorëve LGBTIQ+. Solidarity Center dhe organizata rajonale LGBTIQ+ ERA për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë sollën bashkë në këtë trajnim përfaqësues të komunitetit LGBTIQ+ dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile në Shqipëri dhe përfaqësues të sindikatave nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. BSPSH, KSSH, SPASH dhe FSASH ishin të pranishme nga Shqipëria. BSPK nga Kosova, SONK dhe UNASM nga Maqedonia e Veriut dhe Nezavisnost nga Serbia. Të pranishëm ishin edhe organizatat LGBTIQ+ Aleanca kundër diskriminimit LGBT, PRO LGBT, Streha, Open Mind Spectrum Albania dhe Ylberofilia. Të pranishëm në këtë trajnim ishin edhe aktorë të tjerë të shoqërisë si aktivistë, juristë, gazetarë, arsimtarë, përfaqësues nga Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi etj. Trajnimi konsistonte në evidentimin e problematikave që punëtorët LGBTIQ+ ndeshin në vendet e tyre të punës (diskriminim, frikë, abuzim,), njohjen me funksionet dhe veprimtarinë e sindikatave, si dhe identifikimin e metodave për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve LGBTIQ+. Efikasiteti i takimit qëndronte në faktin që dy grupe interesi u mblodhëm për të disktuar problematikat që ata hasin çdo ditë, për t’u njohur me njëri-tjetrin, për të marrë më shumë informacion e për të kuptuar se si mund të zgjidhin në vijimësi çështjet që janë veçanërisht problematike për punonjësit LGBTIQ+.
Trajnimi ishte një vazhdim i konferencës rajonale mbi “Diskriminimin në vendin e punës” i zhvilluar nga Solidarity Center në Mars 2022 në Shkup. ERA dhe sindikatat e pranishme sugjeruan zhvillimin e një trajnimi që të ishte i vyer për të dyja palët. Komuniteti LGBTIQ+ do të mësonte më shumë mbi rolin dhe rëndësinë e sindikatave, përfitimet e kontratave kolektive, dhe mënyrat se si sindikatat mund ti mbrojnë personat LGBTIQ+ në rast të diskriminimit, ngacmimit apo dhunës në vendin e punës. Në anën tjetër, sindikatat do të kuptonin më mirë sfidat me të cilat përballet komuniteti LGBTIQ+ në përgjithësi, por sidomos gjatë kërkimit të një pune, padrejtësive në mjedisin e punës që ata mund të hasin për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Ky është aktiviteti i parë ku organizatat LGBTIQ+ dhe sindikatat marrin pjesë bashkarisht në një trajnim për të drejtat e punëtorëve LGBTIQ+.
Dita e parë
Pas prezantimit të pjesëmarrësve, fjala iu dha z.Arbër Kodra, Drejtori Ekzekutiv i Open Mind Spectrum Albania (OMSA). Referati i zotit Kodra konsistonte në një prezantim të përgjithshëm për komunitetin LGBTIQ+ në Shqipëri. Duke qënë një ndër takimet e para të këtij lloji për sindikatat, ishte i nevojshëm të ndahej si fillim një informacion bazik, që të gjithë të informoheshin mbi komunitetin LGBTIQ+, organizatat që punojnë për të, terminologjitë, paragjykimet, kontekstin ligjor dhe problematikat që ky komuniteti ndesh.
Pas prezantimit në vija të përgjithshme të komunitetit, ishte radha e sindikatave të flisnin për punën e tyre, rëndësinë, formimin, anëtarësinë e shumë elemente të tjera. Fjalën e mori z.Atdhe Hykolli, President i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Për ta bërë më të lehtë e më të kuptueshme z. Hykolli, e nisi trajtesën e tij me përkufizimin e fjalës “sindikatë” për të kaluar më pas në një historik të shkurtër të lindjes së sindikatave, e veçanërisht se si paraqitet situata e tyre në Kosovë. Me rëndësi ishte dhe themelimi i sindikatave të pavarura në Kosovë, si dhe përcaktimi i formave ligjore që sindikatat mund të përdorin në raste eksteme: greva dhe protesta. Por para se të arrihej në këto zbatime sindikata përdorte fillimisht dialogun social ose ndërmjetësimin mes palëve, pra punëdhënësit dhe punëmarrësit. Pak a shumë e njëjtë paraqitej situata edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Edhe atje ngriheshin të njëjtat problematika.
Xheni Karaj, Drejtore Ekzekutive e Aleancës kundër Diskriminimit LGBT, në fjalën e saj ndër të tjera theksoi nevojën emergjente që anëtarët e komunitetit të ndihen të përfaqësuar e të mbrojtur përsa i përket punësimit. Ajo paraqiti disa nga anketimet e bëra me komunitetin LGBTIQ+ në lidhje me punësimin, diskriminimin në punë, gjuhën e urrejtjes, ngacmimet në vendin e punës, etj.
Më poshtë po ndajmë disa nga grafikët e prezantuar gjatë trajnimit.
Nga sa vërehet një pjesë e konsiderueshme e pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+ nuk dalin hapur në vendet e punës nga frika e diskriminimit, paragjykimeve, pushimit nga puna, apo përballjes me situata të papëlqyeshme. Procesi i “coming out” apo i daljes hapur është një proces individual dhe i vështirë. Është i rëndësishëm pasi mund të zhbëjë mitet dhe stereotipet e krijuara nga shoqëria për personat LGBTIQ+ por njëkohësisht ka dhe aspekte të tjera më pak pozitive siç janë: targetimi për shkak të daljes hapur, diskriminimi, ngacmimet, braktisja nga familja e miqtë, etj. Në fjalën e saj, Xheni Karaj theksoi nevojën për ndërtimin e urave të komunikimit mes palëve, për një qasje të butë me personat LGBTIQ+ të cilët zgjedhin t’iu bëjnë pjesë të coming out-it të tyre.
Amarildo Fecanji, Manaxher Programesh pranë rrjetit rajonal LGBTI ERA, prezantoi disa nga të dhënat e anketimit rajonal të kryer nga ERA dhe Banka Botërore në vitin 2018 me mbi 3000 përfaqësues nga i gjithe Ballkani Perëndimor ku u verejt se: mbi 2/3 e personave LGBTIQ+ e mbajnë të fshehur faktin që i përkasin komunitetit në vendin e punës për arsye të frikës nga diskriminimi, dhunës, humbjes së punës apo shfrytëzimit për shkak të tolerimit nga punëshënësi. Disa nga problematikat e tjera që u vunë në dukje ishin: papunësia e personave LGBTIQ+ (kjo jo rrallë herë për shkak të orientimit seksual të personit) si dhe mungesa e kontratave dhe politikave përfshirëse për komunitetin LGBTIQ+. Personat transgjinorë janë ndër më të diskriminuarit në punë dhe jo vetëm. Probabiliteti që ata të mos punësohen, të ngacmohen në vendet e punës, të mos promovohen, të diskriminohen, të pushohen nga puna është mjaft i lartë. Situata problematike e punësimit të personave transgjinorë ka bërë që një pjesë e mirë e personave transgjinorë të shohin si zgjidhje të vetme punën e seksit.
Prezantimi i Drejtoreshës së Qendrës Streha, znj,Adelajda Alikaj, ishte i fundit për ditën e parë e njëkohësisht i fundit nga trajtesat e palës që përfaqësonte komunitetin LGBTIQ+. Znj.Alikaj nënvizoi përjetimet e komunitetit në Shqipëri të tilla si: konfliktet familjare, dëbimin nga shtëpia, stigmën, diskriminimin, izolimin, abuzimin, kërcënimet, vështirësitë për të marrë shërbime, etj. Nga një statistikë e vitit 2017 kompania HeadHunter publikoi rezultatet e një studimi për situatën e komunitetit LGBTIQ+ në kuadër të punësimit, ku tha se pjesë e diskriminimit janë edhe institucionet shtetërore. Vetëm 7 nga 109 kompani të përfshira në studim ishin të hapura për të punësuar një person nga komuniteti LGBTIQ+. Pra, siç shihet jo përpara shumë vitesh situata ka qenë alarmante.
Nga eksperienca e saj me anëtarë të komunitetit që frekuentojnë qendrën, znj.Alikaj thotë se mënyrat më të zakonshme që një person LGBTIQ+ të mos punosohet janë: intervista të shkurtra, kohëzgjatja e shkurtër, pyetje të mbyllura që nuk lënë hapësirë të shprehesh apo mungesa e një interviste të dytë. Përsa i përket asaj që ndodh në një ambjent pune për një person LGBTIQ+, lista është e gjatë. Fillon që nga fyerjet, abuzimet me oraret, shakatë e pakëndshme, përjashtimi nga aktivitetet e përbashkëta, intimidim, presion nga punëdhënësi/kolegët, etj.
Dita e dytë
Dita e dytë e trajnimit filloi me një përmbledhje të shkurtër të ditës së parë për të vijuar më pas me prezantimin e znj.Anxhella Llalla, juriste dhe me eksperience të gjatë profesionale sindikaliste në Shqipëri. Znj. Llalla bëri një prezantim të detajuar të organizimit sindikal në Shqipëri, rolin e tyre në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, rëndësinë e reformimit dhe përmirësimit të strukturave dhe funksioneve të sindikatave si dhe sugjerime dhe ide të tjera për përmirësimin e performancës së tyre. Prezantimi i saj stimuloi një diskutim shumë konstruktiv brenda vetë përfaqësuesve të sindikatave por edhe me organizatat LGBTIQ+. Në diskutim, u vu re se sindikatat kanë struktura që mund të adresojnë çështje të tilla si barazia gjinore apo të rinjtë, por se mungojnë struktura të cilat mund të ishin më gjithpërfshirëse dhe të mbronin apo përfaqësonin në mënyrë më efikase grupe punonjësish të margjinalizuar, siç mund të jenë punonjësit LGBTIQ+ por edhe ata të grupeve të tjera si romë dhe egjiptjanë, përsona me aftësi të kufizuara etj. Ndër të tjera u vu në dukje edhe fenomeni i rënies së numrit të anëtarësimit në sindikata. Një ndër sugjerimet ishte pikërisht rritja e angazhimit të sindikatave me grupet e margjinalizuara si një mënyrë për të rritur dhe përmirësuar anëtarësimin ne to. Në diskutim u vunë në dukje edhe vështirësitë e mëdha me të cilat përballen sindikatat, si psh. numri i madh i kontratave kolektive që duhen negociuar me punëdhënësit përkundër burimeve të limituara njerëzore dhe financiare.
Seksioni i fundit i trajnimit ishtë një diskutim për hapat e mëtejshme që organizatat LGBTIQ+ dhe sindikatat mund të ndërmarrin për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve LGBTIQ+ si dhe format e bashkëpunimit që mund të aplikohen në të ardhmen.
Vetë përfaqësuesit e sindikatave identifikuan një sërë aktivitetesh që mund të kryejnë në mbrojtje të të drejta të punëtorëve LGBTIQ+ të tilla si:
- Seksione informuese dhe edukuese lidhur me të drejtat e punëtorëve LGBTIQ+;
- Fushata informuese dhe ndërgjegësuese me anëtarësinë e sindikatës;
- Takime informuese dhe këshilluese midis mësuesve dhe prindërve, me koordinim të sindikatës;
- Mundësia e përdorimit të aplikacionit SKOT, si një opsion për anëtarët LGBTIQ+ të sindikatave në Shqipëri për të denoncuar raste diskriminimi ose keqtrajtimi;
- Përfshirje të tematikës LGBTIQ+ në aktivitete madhore të zhvilluara nga sindikatat;
- Përshirja e çështjes dhe perspektivave LGBTIQ+ në hulimtime dhe anketime të zhvilluara brenda sindikatës;
- Përfshirje të tematikës LGBTIQ+ në panairet e punës;
Në fund të takimit frutdhënës mes dy grupimeve (organizatat LGBTIQ+ dhe sindikatat e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë) disa nga përfundimet kryesore ishin se:
- personat LGBTI+ duhet të marrin informacion më të detajuar mbi Kodin e Punës; të njohin të drejtat dhe detyrimet e tyre; të njohim e të mësojnë mbi ekzistencën e sindikatave dhe të shohin mundësinë e anëtarësimit në to;
- sindikatat duhet të jenë më të pranishme përmes takimeve, sesioneve informuese ku të shpjegohet qartësisht pjesa e kontratave individuale dhe kolektive, kuotat e anëtarësimit, mbrojtja që u bëhet punonjësve, ndjekja e çështjeve, etj.
- është i nevojshëm një bashkëpunim i vazhdueshëm mes organizatave LGBTIQ+ dhe sindikatave, për të ndarë më tepër informacion e për të krijuar një rrjetëzim që ndihmon dhe është në interes të të dyja palëve.
Në vlerësimin e aktivitetit pjesëmarrësit u shprehën të frymëzuar, motivuar dhe mirë informuar mbi nevojat dhe problematikat e sektorit tjetër. Ata vlerësuan njohjen me njëri-tjetrin, diskutimet në grup, informacionet e ndara, historitë personale të personave LGBTIQ+ dhe sinergjitë e krijuara midis organizatave LGBTIQ+ dhe sindikatave. Përfaqësuesit nga sindikatat vlerësuan dijet e fituara mbi këtë temë, ndanë idetë e tyre se ku mund të ndërhyet në të ardhmen, dhe theksuan nevojën për të përmirësuar dhe krijuar një mjedis më gjithëpërfshirës, mikpritës dhe të sigurt për komunitetin.
Nëse ju jeni përfaqësues/e sindikate në Shqipëri apo rajonin e Ballkanit Perëndimor, ne ju ftojmë të lexoni këtë udhëzues për sindikatat. Për çdo pyetje apo koment tjetër mos hezitoni të kontaktoni zyrat e Solidarity Center në Shqipëri dhe Serbi, organizatën rajonale ERA apo dhe organizatat LGBTIQ+ në vendet respektive.