Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut jep një vendim historik për bashkimet e të njëjtit seks në Rusi

Gjykata vendosi se Rusia po shkelte të drejtat e njeriut duke refuzuar të njihte ligjërisht bashkimet e të njëjtit seks.
Të martën, më 17 janar, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se Rusia ka detyrimin t’u japë çifteve të të njëjtit seks mbrojtje ligjore ekuivalente me martesën.
Gjykata dha vendimin historik në çështjen Fedotova dhe të tjerët kundër Rusisë, paraqitur nga gjashtë shtetas rusë, i cili u kthye në një betejë ligjore trevjeçare.
Në korrik 2021, Dhoma e Tretë e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) vendosi se, duke refuzuar njohjen ligjore të çifteve të të njëjtit seks, Rusia po shkelte të drejtat e njeriut të aplikantëve sipas nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Pas vendimit, qeveria ruse kërkoi që çështja t’i referohej Dhomës së Madhe të Gjykatws. Rusia argumentoi se futja e barazisë martesore në vend do të ishte “në kundërshtim me Kushtetutën ruse dhe rendin publik”. Qeveria ruse pretendoi se “familja në formën e saj tradicionale është një vlerë themelore e shoqërisë ruse”, sepse ajo “është e lidhur thelbësisht me qëllimin e ruajtjes dhe zhvillimit të racës njerëzore”.
Në vendimin e së martës, Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së vendosi se kjo nuk ishte e mjaftueshme për t’iu mohuar çifteve LGBTQ+ të drejtat e tyre, duke thënë se “asnjë nga arsyet e interesit publik të paraqitura nga qeveria nuk mbizotëron mbi interesin e aplikantëve për të pasur marrëdhëniet e tyre përkatëse, të njohura dhe të mbrojtura në mënyrë adekuate me ligj”.
Gjykata arriti në përfundimin se Rusia “ka tejkaluar kufirin e saj të vlerësimit dhe nuk ka përmbushur detyrimin e saj për të siguruar të drejtën e aplikantëve për respektimin e jetës së tyre private dhe familjare”.
Me këtë vendim, gjykata vendosi se të gjithë anëtarët e Këshillit të Evropës kanë detyrimin të vendosin mbrojtjen e duhur ligjore për çiftet e të njëjtit seks ku barazia martesore nuk është vendosur.
Eurodeputetja irlandeze Maria Walsh, e cila është gjithashtu nënkryetare e Ndërgrupit LGBTI, komentoi vendimin duke thënë: “Sot është një ditë e lavdishme për komunitetin tonë dhe mbrojtjen e tyre. Mbetet vetëm të falënderojmë të gjithë aktivistët dhe paditësit e kësaj çështjeje për përpjekjet e pafundme për të vazhduar këtë luftë.
“Është koha që familjet LGBTQ+ të marrin mbrojtjen dhe njohjen që meritojnë, dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë presion për të siguruar që ky gjykim një ditë do të përkthehet në një njohje të detyrueshme të marrëdhënieve në rastet ndërkufitare.”-tha ajo./ HistoriaIme