Gjuetarët e librave LGBT+ dhe 451° Farenhajt i ditëve tona

Pas firmosjes së ligjit anti LGBT+ nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në libraritë dhe bibliotekat e vendit po hiqen me shpejtësi librat me tematikë LGBT+. Nuk është hera e parë që historia e botës përballet me shkatërrim, djegie, grisje, ndalim librash e botimesh. Duket se librat i frikësojnë njerëzit ndaj ajo që librat mbartin duhet asgjësuar. Jetojmë në një epokë kur vlera e librit ka rënë dhe vijon të bjerë, pasi teknologjia ka ndryshuar shumë gjëra. Jetojmë në një kohë kur është e lehtë të shfarosësh qindra, mijëra libra pasi kjo gjë nuk do të shkaktonte zemërim dhe revoltë. Pasi të digjen, të zhduken fizikisht librat me tematikë LGBT+, gjuetarët e librave do ti kthejnë sytë nga teknologjia. Duke qenë se shumë nga librat sot gjenden edhe në format Pdf, eBook, etj, natyrisht që do vijë dhe radha e tyre.
Po çfarë i frikëson kaq shumë diktatorët? Pse i urrejnë librat dhe kërkojnë me çdo kusht ti shfarosin ato? Djegia e librave është një metodë e njohur që nga antikiteti për të vijuar në Mesjetë e me radhë. Nazistët, komunistët, e grupe të tjera dogjën gjithë librat që nuk donin, duke lënë “gjallë” vetëm ato libra që bartnin ideologjinë e tyre. Duke ngulitur çdo ditë, tek të gjithë, të njëjtën ideologji, pushteti i tyre do të ishte më jetëgjatë. Diktatorët i urrejnë librat që nuk flasin për ta, që nuk u përshtaten atyre sepse libri në vetvete është një burim dije dhe përvoje, të mbledhura së bashku. Të shkruash një libër është një punë kolosale, është një rrugëtim drejt njohjes së vetvetes dhe botës që të rrethon. Por regjimeve diktatoriale nuk i intereson që popujt të jenë të ditur, të shkolluar. I vetmi interes i tyre është injoranca e masës. Vetëm kështu ata do mund ta mbajnë pushtetin. Ndaj dhe sa më larg librave ta mbajnë popullin aq më mirë për ta.
Të shkruash një libër me tematikë LGBT+ kërkon guxim. Në vende të zhvilluara autorët e tematikave të tilla e ndjejnë më pak trysninë e botuesit, shoqërisë, lexuesve. Po në Shqipëri çfarë ndodh? Letërsia shqipe njeh raste të tematikave të komunitetit LGBT+ por sporadike dhe jo të trajtuara gjerësisht. Ne nuk kemi letërsi të mirëfilltë LGBT+. Letërsia LGBT+, e cila aktualisht në Rusi po sulmohet, tek ne ende nuk e ka nisur rrugëtimin e saj. Libri i Kristi Pinderit, jo vetëm që bëri bujë kur doli nga botimi por është i vetmi libër mirëfilli me tematikë LGBT+. Ai do të jetë pikënisja, guri i themelit për një letërsi LGBT+ në Shqipëri.
Historia ka treguar se njerëzit gjithmonë e gjejnë forcën për t’iu qasur dijes edhe kur janë të rrethuar me tela me gjemba. Në Shqipëri, gjatë komunizmit, të rinjtë, familjet e kulturuara, edhe pse vëzhgoheshin vazhdimisht, arrinin të gjenin vepra të ndaluara, në gjuhë të huaja, të cilat i lexonin, i kalonin dorë më dorë edhe pse e dinin se rrezikonin shumë nëse i dikush i kapte ose i spiunonte. Me gjithë presionet, dhunën, aktet vandale e shtypëse që komuniteti LGBT+ përjeton, gjithmonë e kurdoherë do të gjendet forca, kurajo e guximi për të ecur përpara.
A.Sh.