Pastori na do, por…

Në artikullin e publikuar nga syri.net, me dt 13 dhjetor 2022, me titull “A është refuzimi i ‘prindit 1’ dhe ‘prindit 2’ diskriminues ndaj homoseksualëve? Gjyqtari shqiptar duhet të vendosë” – shkruar nga Evert van Vlasutin, për CNE.news; flitet për përballjen që do ketë pastor Akil Pano, me institucionet e drejtësisë, për shkak të një deklarate që ai ka bërë në një nga daljet e tij televizive, ndonëse që me leximin e titullit, mund të nuhasim që qëllimi i artikullit është përdorimi i gjuhës së deformimit dhe dizinformimit.
“Shira dhe stuhi” në shoqërinë shqiptare
Çështja “prindi 1” dhe “prindi 2” e cila nxiti një tautologji absurde debatesh, jo vetëm që u keqkuptua, por u pasurua qëllimisht me konotacion negativ duke shtrembëruar kështu tematikën dhe vetë debatin pasi familja konkrete LGBT nuk ka kërkuar asnjëherë të quhen në çertifikatë “prindi 1” dhe “prindi 2”. Megjithatë keqdashja dhe diskriminimi, nuk u ndalën, por vijuan edhe më tej, mbi të gjitha me terminologjinë e përdorur nga vetë pastor Akil Pano, i cili quajti ‘dehumanizuese’ zbatimin e të drejtave të një pjese të shoqërisë. Me fjalë më të thjeshta, pastor Akil Pano, quan jo human ( jo njerëzor) pjesëtarët e komunitetit LGBT+. Po çfarë është jo njerëzore dhe jo humane tek ky komunitet i dashur pastor? Personat LGBT+ janë po njerëzorë dhe humanë sa ju, apo sa familjarët tuaj, që paguajnë taksa, që duan, zhgenjehen, ndryshojnë, votojnë njësoj si ju? Çfarë mbetet ndryshe që ju bën t’i quani jo njerëzorë?
Në deklaratat e tij, pastor Akil Pano, shpreh frikën e kthimit të njerëzve në numër duke deklaruar: “ Një egoizëm i paprecedentë…. Fryt i një shoqërië të sëmurë…. Ata janë aq egoist sa duan t’i privojnë fëmijët e brezit të ardhshëm nga e drejta e tyre për nënë e babë” – duke vënë kështu në dukje, egoizmin dhe shoqërinë e sëmurë. Por, Pastor Akil Pano, bariu njerëzor, flet për egoizëm dhe shoqëri të sëmurë, pa qartësuar se ku qëndron egoizmi nëse dy nëna apo dy baballarë, kërkojnë të regjistrojnë fëmijët e tyre, në mënyrë që të zbatohet e drejta e tyre? Pastor Akil Pano, nuk sqaron se ku qëndron egoizmi nëse dy nëna apo dy baballarë kërkojnë të regjistrojnë fëmijët e tyre? Ku qëndron mujshimi ( privimi në shqip) i fëmijëve nga fjalët ‘nënë’ dhe ‘baba’, kur fëmijët e një çifti lezbikesh kanë dy nëna dhe fëmijët e një çifti heteroseksualësh kanë një nënë dhe një baba. Ku qëndron mohimi nëse në fund të ditës, fëmija do thërrasë “ma”, “ba”, nuk do të thotë “prindi 1” apo “prindi 2”.
Humanizmi i Akil Panos
Përsa i përket prononcimit të tij rreth anëtarëve të komunitetit LGBT+, duke i quajtur “shoqëri e sëmurë”, këtu jo vetëm që kemi të bëjmë me diskriminim, por edhe me fyerje dhe anatemim. Mendimi i pastorit Akil Pano, se nëse do të ndryshonte ligji i familjes atëherë “çdokush mund të kërkojë të drejtën e tij për t’u martuar me kafshën e tij të dashur, si qenin apo macen, ose tre apo katër persona” i tejkalon limitet e njerëzores, dashurisë, mirëkuptimit dhe tolerancës që janë misioni i bariut njerëzor, pastorit ose përfaqësuesit religjioz. Reagim ndaj kësaj deklarate pati dhe nga nga Komisioneri Kundër Diskriminimit, z. Robert Gajda, megjithatë dhe pa ndërhyrjen e institucionit të Komisionerit kundër Diskriminimit, kuptohet qartazi, tendenca e pastorit për të paralelizuar personat LGBT me kafshët dhe trullosjen e tij ndaj kontratës martesore e cila në Kodin e Familjes përshkruhet si “një bashkim vullnetar midis një burri dhe një gruaje” , pra midis njerëzve, jo kafshëve; duke mos i hequr asnjë vlerë kafshëve të cilat shpesh herë janë më të mira se njeriu. Nuk mbaron këtu, sepse neveria që ai ka për martesën jo heteronormative, duket sikur i referohet edhe martesave poligamike që shpesh herë propozojnë homologët e tij myslimanë. Dy zogj me një gurë. Në Bibël, flitet për gurin, që e hedh i pari ai që s’ka mëkat, flitet dhe për dashurinë që duhet të jetë emëruesi i përbashkët i shoqërive njerëzore, por se sa lidhje kanë këto me pastor Akilin, qëndron ende e paqartë.
Misioni si Pastor Ungjillor
Dikotomia profesionale dhe njerëzore e pastor Akil Panos, nuk i sjell probleme vetëm atij, por dhe publikut të gjerë, që nuk arrin të identifikojë politikën editoriale që ndjek Kisha e tij Ungjillore protestante. Për të vërtetuar këtë deklaratë kujtojmë momentin kur aktivistja Xheni Karaj, së bashku me një grup aktivistësh të tjerë, pjesëtarë të komunitetit LGBT, të ftuar nga vete pastor Akil Pano, morën pjesë në një nga ceremonitë fetare të organizuara nga Kisha Ungjillore, me “shpresën se lutjet dhe predikimet” do t’i kthenin ata në heteroseksualë. Ndryshimi magjik i seksualitetit nuk ndodhi, por gjatë meshës, i befasuar nga vizita, pastor Akil Pano, deklaroi që “Ne i duam homoseksualët dhe gjithmonë e kemi treguar dashurinë ndaj tyre, jo vetëm me fjalë në programe të ndryshme televizive, por edhe duke i mirëpritur në kishën tonë”. Një deklaratë mjaft surprizuese, që na shtrëngon të ndalemi për analizim.
Pastori thotë se i do aktivistët LGBT+, por nuk resht me sulmet ndaj tyre. Ai i do, por nuk dëshiron që Ligji i Familjes të ndryshojë dhe që komuniteti ta gëzojë të drejtën për t’u martuar. Ai i do, por në çdo përballje televizive nuk lë moment pa kundërshtuar të drejtat e individit. Pastori i do, pasi hapi dyert e kishës së tij, ndonëse në fakt hapësira që ai quan Kishë, supozohet të jetë shtëpia e Zotit, dhe kushdo ka të drejtë të hyjë. Ndaj, nuk mund të thuash që ke pranuar miq në shtëpinë e Zotit, sepse çdo individ është automatikisht i pranuar, si bij të tij, sikurse vetë pastori. Në kontekstin fetar, aktivistët apo individët LGBT+ janë fëmijë të Zotit dhe kanë të drejtën e një familje.
A.Sh.
*Martesa është një bashkim vullnetar i një burri dhe një gruaje, bazuar në dashurinë dhe respektin e ndërsjellë, i regjistruar në zyrat e gjendjes civile, që synon krijimin e familjes dhe lindjen e të drejtave dhe detyrimeve të ndërsjella personale jopasurore dhe pasurore.
Neni 53
1.Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje.
2.Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë nga të shtetit.
3.Lidhja dhe zgjidhja e martesës rregullohen me ligj.