Alba, Edlira dhe dy vogëlushe përballë shtetit

Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara të cilat jetojnë dashurinë e tyre prej 12 vitesh, kanë folur për herë të parë për sfidat dhe problemet e një çifti vajzash në Shqipëri.
Çifti, ka treguar lumturinë e pamasë që u ka sjellë ardhja në jetë e dy bebeve të tyre.
Alba Ahmetaj, e cila drejton Organizatën ProLgbt dhe Edlira Mara, të dyja bashkëthemeluese të kësaj organizate folën në emisionin “Rudina” të moderatores Rudina Magjistari në TV Klan.
Ndonëse Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara gëzojnë një marrëdhenie të fortë dashurie, nga e cila ato kanë mundur të bekohen me me dy vajza binjake, jeta e tyre haset edhe me vështirësi, si dy nëna të reja. Dy vajzat e tyre nuk janë të regjistruara në gjendjen civile. Ato rrëfejnë dhe betejën ligjore që kanë për këtë çështje në gjykatën e Apelit.
Vetë moderatorja e emisionie e konsideroi si absurd situatën në të cilën gjendeshin vogëlushet e Albës dhe Edës.
Rudina Magjistari: Jam kurioze të di si i keni regjistruar, sepse kjo ka qenë një temë shumë e nxehtë kohët e fundit, edhe është diskutuar shumë… çfarë ka ndodhur, ku jeni me dokumentacionin?
Alba Ahmetaj: : Fatkeqësisht vajzat janë të paregjistruara akoma. Jemi në një betejë ligjore me gjendjen civile ku përkasim ne. Për momentin gjykatësi që e kishte në dorë e refuzoi çështjen tonë dhe tani presim të kalojmë në Apel.
Rudina Magjistari: Gjykatësi pse refuzoi, cili ishte argumenti?
Edlira Mara: Nuk ekziston ligji dhe në certifikatë nuk mund të regjistrohen dy nëna apo dy baballarë. Është vetë formati i certifikatës.
Rudina Magjistari: Aktualisht vajzat janë të paregjistruara?
Alba Ahmetaj: : Nuk ekzistojnë.
Rudina Magjistari: Si mund të vazhdojë kjo histori, sepse është absurde të vazhdohet kështu? Shërbimin mjekësor si e marrin?
Alba Ahmetaj: : Deri 6-muajshe kemi qenë në shtet, pas 6 muajsh e kemi bërë në privat, sepse duhet të ishin të regjistruara.
Rudina Magjistari: Dhe vetëm në privat juve ju krijohet kjo mundësi?
Alba Ahmetaj: : Për momentin po.
Edlira Mara Vajzat nuk mund të regjistrohen as në çerdhe, as në kopsht, as të ndjekin arsimin shkollor më vonë, nëse kjo histori vazhdon…
Rudina Magjistari: Ju aktualisht çfarë keni ndërmend të bëni, sepse është shumë e zymtë kjo e ardhme në këtë drejtim, përsa i përket vajzave të vogla…
Alba Ahmetaj: : E zymtë është… tani ne do të shohim interesin e vajzave fillimisht. Do të presim dhe pak.
Edlira Mara: Ne do të vazhdojmë të luftojmë, e kemi nisur këtë çështje kështu që do e çojmë deri në fund.
Alba Ahmetaj: : Tani po presim që çështja të dalë në Apel, por na kanë thënë që çështjet atje vonojnë ca…
Rudina Magjistari: Atje radha e dosjeve është bërë goxha e gjatë me aq sa dimë, edhe për situatën e drejtësisë që është në vend, kështu që kjo histori duket që do zgjasë shumë.
Alba Ahmetaj: : Mund të ketë një përparësi meqë është interesi i fëmijëve në këtë mes.
Rudina Magjistari: Po si nënë e vetme apo për juve kjo është një alternativë e pakonsiderueshme fare?
Edlira Mara Ne kemi filluar betejën që në regjistër të vendosen emrat e dy mamave dhe jo si nënë e vetme.
Alba dhe Eda, tregojnë në emisionin “Rudina” në Tv Klan se si e morën vendimin për t’u bërë nëna të një fëmije. Ato treguan se kjo kishte qenë një dëshirë që në fillimet e lidhjes së tyre, por kishin hasur vështirësi pasi ligji nuk i lejon çiftet me gjini të njëjtë të kenë fëmijë. Alba tregon përvojën e hidhur që patën kur kërkesa e partneres së saj Eda, e cila u paraqit si nënë e vetme, u refuzua nga një mjek shqiptar.
Alba Ahmetaj: Në fakt ne këtë gjë e kemi dashur gati që në fillimet tona, por na dukej shumë e vështirë, gati e pamundur. Rezultoi e vështirë, por jo e pamundur. Në momentin që vendosëm se do e bënim i hymë studimeve. Patëm një incident të vogël në një nga këto klinikat private ku shkuam thjesht të informoheshim, Eda u prezantua se donte të ishte nënë e vetme dhe ndoshta doktori e kuptoi që ishim çift, pasi na tha se nuk mund ta bënim sepse ligji nuk e lejonte. Ai ishte një zhgënjim shumë i fortë. Madje nxori justifikimin se nëse ndodh diçka, familjet me gjini të njëjtë do të abuzojnë me këtë gjë.
Ato tregojnë se nuk u dorëzuan deri sa e realizuan dëshirën e tyre për të qenë nëna, pavarësisht se fillimisht e mendonin të pamundur një gjë të tillë. Eda tregon se për të bërë të mundur dëshirën e tyre shkuan në një tjetër klinikë, ku nuk u prezantuan si çift dhe ku kryen procedurën “in vitro”. Gjithçka shkoi mirë dhe tashmë ato janë nëna të dy vajzave.
Edlira Mara: Në atë kohë po punoja në një punë tjetër dhe fillova duke studiuar të gjitha spitalet private ku mund të kryeja “in vitro”. Shkuam atje bashkë me Albën, nuk u prezantuam si çift, thjesht morëm informacione mbi “in vitron”. Ka shkuar çdo gjë shumë mirë që nga dita e parë që kemi shkelur në atë spital. Procedura e “in vitros” ishte shumë normale për mua dhe pjesa e shtatzënisë ka shkuar shumë normal. U ndjemë shumë mirë të dyja në të gjithë procedurën e ‘in vitros’, procedurën e shtatzënisë dhe të lindjes së vajzave.
Familja
Për Albën, teksa i rikthehet momentit kur e ka kuptuar disi veten, ka qenë një dashuri platonike në moshën 10-vjeçare me një infermiere. Por vetëm 15 vite më vonë, kur ishte 25 vjeçe, ajo do t’ia pranonte vetes identitetin e saj të vërtetë. Hapi i madh për ta bërë këtë me të tjerët do të ishte një proces më vete, po aq i gjatë.
Rudina Magjistari: Kur e more guximin, hapin për ta ndarë me familjen?
Alba Ahmetaj: Për ta ndarë me familjen shumë vite më vonë. Ka ndodhur kur kam qenë diku te 33 vjeç, kështu që kanë kaluar shumë vite. Kam qenë në një lidhje me Edën kur mora guximin sepse nuk mund t’i gënjeja sepse e ke parasysh, duhet të shkosh në shtëpi, t’iu thuash prindërve që “kjo është shoqja ime e ngushtë”, nuk mund t’iu thuash që “kjo është dashuria e jetës time” apo që do të krijosh familje, pavarësisht se atëherë krijimi i familjes me fëmijë, gjithmonë, ka qenë thjesht një ëndërr, por është e vështirë.
Rudina Magjistari: Dhe si reaguan ata?
Nuk e pritën mirë. Prindërit e mi kanë këtë fiksimin me “çfarë do thotë bota?” dhe ajo na ka dëmtuar shumë sepse ka ndikuar në marrëdhënien tonë gjithmonë, fakti që nuk e pranuan dot marrëdhënien time me Edën asnjëherë. Një periudhë kohe nuk folëm, por më pas u rilidhëm, tani kemi marrëdhënie, por Eda nuk është pjesë e asaj marrëdhënieje dhe mua kjo gjë më vret shumë.
Rudina Magjistari: Pra nuk arrijnë dot ta pranojnë, nuk e bëjnë dot këtë hap?
Alba Ahmetaj: Jo, është shumë e vështirë.