Ata dhe ne!

Mahmood dhe Blanco me “Brividi” fituan Sanremon, festivalin më të madh të këngës italiane!
Dy djem që thyen tabutë, duke kënduar për dashurinë mes dy burrave para mijëra italianëve.
Në videoklip shihen këngëtarët teksa përqafohen dhe flasin për dashurinë e flaktë mes tyre.
Kënga në Itali u prit jashtëzakonisht mirë me miliona klikime brenda pak orëve, dhe arriti të triumfonte duke marrë vendin e parë në festival. Siç është rregulli, të dy këngëtarët do të përfaqësojnë Italinë në Eurovizion Song Contest 2022 që mbahet më maj të këtij viti.

Por, le të kthehemi pak në Shqipëri!
Siç thotë edhe aktivisti Kristi Pinderi: “Nese Mahmoodi do te kishte fituar Festivalin ne Tirane dhe jo Sanremon, dy gjera do dinim me siguri: Avokat Goxhaj do protestonte para Kryeministrise pa kapele dhe Eneda s’do dinte si t’ua shpjegonte kete video njerezve te saj. Tamam per “brividi” me pak fjale!”
Në fakt, në Shqipëri ka ndodhur diçka që mund të cilësohet si thjesht kontroversale para dy vitesh ku në festivalin e Këngës në RTSH në 2020 performoi këngëtari Durim Morina, i njohur ndryshe si “Mirudi”. Ai doli në skenë duke sfiduar tabutë shqiptare, dhe performoi me një kostum që shumë e konsideruan “femëror”. Komentet ishin të shumta.
Fyerje, sharje, ofendime e kërcënime vërshuan ndaj këngëtarit vetëm pse artin ai e koncepton ndryshe nga shumica e shqiptarëve.
Shqiptarët, ndryshe nga italianët që Mahmmod-in dhe Blanco-n i pritën jashtëzakonisht mirë, sepse në skenat muzikore ka rëndësi çfarë muzike bën, çfarë mesazhi përçon dhe çfarë zgjedh të transmetosh përmes artit tënd, këtu Mirudin e kryqëzuan vetëm se veshi diçka që nuk u pëlqye nga masa e gjerë.
Një pjese të artistëve shqiptarë nuk u pëlqen të quhen homofobë, u pëlqen vetëm të jenë të tillë, siç është Orgesa Zajmi që në 2015 shkruante: ‘Më duhet të them se këta [homoseksualët] pasivët, apo të fshehtët janë më të rrezikshëm se çdo njeri tjetër, frustrimin e kthejnë në urrejtje dhe prej saj edhe mund të të vrasin’.
Lind pyetja, pse Conchita Wurst dhe Mahmood dhe Blanco triumfuan, ndërsa Mirudi u kryqëzua? Për shkak të muzikës që bëjnë, apo të asaj që përfaqësojnë? Në Shqipëri triumfojnë në shumicën e rasteve për shkak të asaj që përfaqësojnë. Mesa duket, si në çdo fushë tjetër në Shqipëri, edhe skena e artit është viktimë e këtij mentaliteti.

Pikërisht këto reagime për fituesit e Sanremos, tregojnë edhe një herë se ata janë “Ata” dhe ne jemi “ne”./ HistoriaIme