Çmimet rriten, pagat jo!
Çmimi i naftës në Shqipëri gjatë së mërkurës të 2 shkurtit ka arritur nivelet më të larta ndonjëherë!
Një litër naftë u shit me pakicë për qytetarët për 193 lekë.
Rritja shqetësuese vjen në mes të krizës botërore të Pandemisë së koronavirusit, dhe pak muaj pasi qeveria shqiptare ka shpallur emergjencën energjitike!
Bashkë me çmimin e naftës në vend është rritur edhe çmimi i gazit dhe benzinës.
194 lekë kushtoi të mërkurën e 2 shkurtit një litër benzinë, ndërsa një litër gaz u shit me 93 lekë.
Në këto kushte, qeveria shqiptare duket se nuk e ka në plan që të ndërhyjë!
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një dalje për mediat pas mbledhjes së qeverisë e pyetur nga gazetarët për rritjen e çmimit të naftës në vendin tonë është shprehur se çmimi diktohet nga bursat ndërkombëtare.
“Rritja e çmimit të naftës ka qenë subjekt rritjeje në të gjitha vendet e rajonit dhe Europës. Çmimi i naftës ndikohet nga bursat ndërkombëtare, ne po monitorojmë në mënyrë që të shohim se ku mund të ndërhyjmë. Por, dua të them se jemi në një ekonomi të lirë tregu dhe nuk mund të ndërhyjmë në çmime. Por, sipas ekspertëve, pritet që çmimet të ulen në 6-mujorin e dytë dhe nuk do të ketë nevojë për të ndërhyrë në politika”, tha Ibrahimaj.
Kur u pyet nëse mund të hiqet një pjesë e taksave të naftës, ministrja tha: “Politikat e taksave nuk mund të ndikohen nga lëvizja e çmimeve”.
Edhe çmimet e tjera në rritje!
Fundi i viti të kaluar në Shqipëri shënoi një rritje të pothuajse të gjitha çmimeve.
Rritja e grurit bëri që buka të rritet me 20 lekë ndërsa kjo situatë u reflektua edhe tek të gjitha ushqimet e shportës.
Një ndër shkaqet e kësaj rritjeje shqetësuese u artikulua se është kriza energjitike që ka përfshirë europën prej muajsh.
Pagat më të ulëta në rajon, pas Kosovës!
Por teksa çmimet po rriten Shqipëria renditet e parafundit në rajon pas Kosovës për pagën më të ulët.
248 euro është paga minimale në vendin tonë, ndërsa një shqiptar merr më pak sesa një maqedonas, malazez, serb apo boshnjak..
Pabarazia e pagave!
58 milionë e 74 mijë lekë të reja është paga më e lartë në vendin tonë sipas një databaze të rrjedhur në fund të vitit 2021, dhe i përket një agjencie të pavarur shtetërore.
Paga e dytë më e lartë është ajo e një drejtori televizioni, i cili në muajin janar të 2021 ka marrë plotë 24 milionë e 756 lekë të reja.
Nga numri dy e më poshtë pagat vijojnë të tkurren.
Kështu sipas databazës që ka rrjedhur kryesisht në rrjetin e komunikimit Ëhats’app janë gjithsej 290 persona që paguhen nga 1 milionë lekë të reja në 10 milionë lekë të reja në muaj.
Gjithashtu nga 500 mijë lekë të reja deri në 900 mijë lekë të reja paguhen 587 persona.
Këta persona mund të konsiderohen si më të paguarit në vendin tonë, ndërsa pagat vijojnë të ulen për 40 605 persona të cilët paguhen nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë të reja në muaj.
Nga ana tjetër janë gjithsej 9702 persona që pahuhen nga 90 mijë deri në 99 mijë lekë në muaj.
20 000 persona paguhen nga 80 000 deri në 89 000 lekë të reja në muaj, dhe 40026 persona paguhen nga 70 000 deri në 79 000 lekë të reja në muaj.
97 mijë qytetarë shqiptarë paguhen nga 50 000 deri në 69 000 lekë.
Por me një pagë minimale prej 30 000 lekësh në muaj deri në 40 000 lekë paguhen pothuajse shumica prej 283 142 persona në vendin tonë.
Ajo që e thellon më tej pabarazinë është numri i personave që paguhet vetëm me pagën minimale.
Në Shqipëri sipas të dhënave të databazës janë gjithsej 158 271 persona që paguhen vetëm 30 000 lekë në muaj!/ HistoriaIme