Fundi i epokës së Sali Berishës në PD!

Ish-kryeministri i Shqipërisë, ish-Presidenti dhe ish-lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha është përjashtuar përgjithmonë nga partia!
Vendimi u mor nga kryesia e PD pas një mbledhjeje e cila zgjati rreth 9 orë.

Vendimi vjen pas protestës së dhunshme në selinë e Partisë Demorkatike me 8 janar, ku kjo seli u sulmua ashpër nga militantët që ishin thirrur në protestë nga zoti.Berisha.
PD e arsyetoi vendimin me motivacionin e “nxitjes së dhunës dhe urrejtjes në protestën e 8 janarit”.
Kryesia e PD-së vendosi përjashtimin nga PD dhe nga të gjitha funksionet drejtuese apo anëtarësinë në grupin parlamentar për 8 anëtarë të saj; Sali Berisha, Flamur Noka, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Bujar Nishani, Arben Ristani, Rigels Muçollari, Keltis Kruja dhe Klevis Balliu.
Për 19 demokratë të tjerë, kryesia ka vendosur pezullimin e tyre nga anëtarësia në PD dhe funksionet që mbajnë “deri në distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike, dhe veprimeve që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të Partisë Demokratike”.
Ata janë; Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Blendi Himçi, Çlirim Gjata, Edi Paloka, Edit Harxhi, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Genc Deromemaj, Genc Pollo, Gent Strazimiri, Ivi Kaso, Ledina Mandija, Lorenc Luka, Luan Baçi, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi dhe Tritan Shehu.

Vendimi është kontestuar nga shumica e deputetëve të përjashtuar ose pezulluar, duke thënë se ata nuk e njohin jo vetëm vendimin por as kryesinë e PD dhe kryetarin Basha i cili sipas tyre është shkarkuar në Kuvendin Kombëtar të datës 11 dhjetor 2021.
Përçarja e thellë në PD nisi në 19 maj të vitit të kaluar kur në një vendim të befasishëm Sekretari i Shtetit në SHBA, Anthony Blinken e shpalli Zotin.Berisha dhe familjen e tij si persona non grata, për “korrupsion domethënës dhe minim të demorkacisë”.
Në muajin shtator, një natë para mbledhjes së Parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit kreu i PD, Lulzim Basha vendosi “pezullimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD”. Ky vendim më vonë u zbulua se vinte me kërkesë direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Që nga ajo ditë, nuk kishte më paqe në PD.
Sali Berisha doli kundër vendimit të Bashës duke e akuzuar atë për bashkëpunim me Ramën, ndërsa ditë pas dite u formuan dy kampe të mëdha brenda PD.
Njëri kamp e mbështeste Berishën, dhe tjetrën Bashën.
Gjithçka kulmoi me 8 janar, kur Sali Berisha kishte thirrur një protest, e cila shpejt degjeneroi në dhunë.
Mbështetësit e Berishës sulmuan selinë e demokratëve, ndërsa shkatërruan gjithçka në katin e parë.
Ndërhyrja e policisë me kërkesë të deputetëve të PD mbështetës të Lulzim Bashës, bëri që dhjetëra persona të arrestohen ndërsa disa të tjerë të procedohen penalisht përfshirë Sekretarin e PD, Gazmend Bardhi.
Sali Berisha ka lajëmruar protesta të tjera kundër kreut të PD Lulzim Basha, ndërsa si qëllim kryesor është marrja e selisë së partisë!/HistoriaIme