Një tradhtare dhe shumë xhelatë

Ndër shekuj e mijëvjeçë marrëdhëniet njerëzore kanë evoluar, ndryshuar dhe janë përshtatur në bazë të kërkesave që ka pasur shoqëria në periudha të caktuara. Shoqëria njerëzore ka kaluar në heshtje nga matriarkati në patriarkat dhe nga poligamia në monogami.
Në ditët e sotme marrëdhëniet mes personave të rritur, që mund të jenë intime ose jo, gjenden në forma dhe ngjyra të ndryshme. Duke filluar nga marrëdhëniet mes dy personave të seksit të kundërt, te marrëdhëniet mes personave të seksit të njëjtë deri te marrëdhëniet në çift mes më shumë se dy personave, që në fjalë të tjera do të mund të përkufizohej si poligami.
Me gjithë zhvillimin e shoqërisë sa i përket marrëdhënieve njerëzore, ka ende persona që i mendojnë raportet intime në format të ngurtë, pa marrë parasysh ndjenjat, apo rrethanat subjektive.
Një rast të ngjashëm patëm mundësi ta shohim në Big Brother Vip Albania. Historia mes çiftit Donald-Beatrix nuk është pritur mirë nga publiku, pikërisht për shkak të shembullit të ngurtë që ka shoqëria jonë sa u përket marrëdhënieve të dashurisë.
Ajo që të bën përshtypje në këtë rast është dhe gjuha e pashembullt e urrejtjes përdorur masivisht nga shqiptarët në rrjetet sociale.
Në profilet zyrtare të Big Brother Vip gjen komente nga më të ndryshmet, ndër të cilat edhe komente që urojnë vdekjen e protagonistëve.
Përtej mendimeve personale, njeriu është qenie që gabon dhe ndonjëherë duhet të hysh në lëkurën e tjetrit për ta kuptuar në atë çka ndjen dhe mendon.
Sigurisht që në çdo situatatë, a marrëdhënie njerëzore ka vend për komente dhe kritika, por kur këto të fundit kanë në thelb ofendimet dhe denigrimin e figurës së një vajze, nuk janë me vend.
Ajo që është vënë re këtë periudhë nga komentet në rrjetet sociale dhe jo vetëm janë komentet që e sulmojnë vajzën Beatrix te pjesa e nderit. Me fjalë të tipit “kurvë”, apo sinonime të ngjashme.
Pra kjo vajzë merr komente vetëm për zgjedhjen e saj sa i përket jetës private, ndërsa nuk ka komente në lidhje me karakterin, profesionin apo në lidhje me veprime të tjera të Beatrix brenda shtëpisë së Big Brother Vip.
Nga ana tjetër Donaldi, pasi kaloi njëfarësoj zhurma e madhe mediatike, merr më së shumti komente në lidhje me prishjen e lojës së tij brenda Big Brother Vip.
Është groteske të mendosh që ende në vitin 2021 vajzat vazhdojmë t’i gjykojmë nga nderi, ndërsa djemtë nga loja dhe personaliteti.
Shtoji kësaj dhe peshën që merr kjo vajzë nga gjithë urrejtja dhe negativiteti në rrjet. Në fakt, njerëzit gjetën tabelën perfekte të qitjes, për të reflektuar problemet e marrëdhënieve të tyre. Por në mllef e sipër harruan ta konsideronin atë “kurvën” njeri. / Arjola Hajdini