Gjyshja ime në fshat therrte pula sa herë që vinin miq, por asnjë vit nuk arriti dot t’i therrte 20 pula.
E ndërsa pulat e gjyshes sime, ndoshta mund të ishin më të sigurta në kotec, gratë shqiptare nuk janë të sigurta në shtëpitë e tyre, sepse po vriten nga ata që supozohet se duhet t’i donin.
Këtë vit e mbyllim me 20 gra të vrara, epilog i dhimbshëm, por t’i kujtojmë. Ndoshta dikush diku do hapë zemrën dhe do të kërkojë ndihmë.
Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi do të ishin kurbani i parë i 31 dhjetorit të vitit të shkuar. Dy motrat i vrau Përparim Tela, pa u penduar e pa u menduar dy herë.
Lumturie Bici do të ishte e radhës. Nëna e katër fëmijëve u masakrua me sëpatë nga bashkëshorti në Librazhd.
Klarita Ismalaja, vrarë po ashtu me thikë nga burri.
Sabrina Bengaj vrarë me bukë në gojë nga ish burri.
Diana Vukaj vrarë nga vëllai bukëshkelur.
Liljana Buzo vrarë në derë të gjykatës.
Dorina Alla, masakruar me thikë në sy të fëmijëve.
Fellenza Shirja djegur e gjallë nga burri në makinë.
Irvana Hyka, nënë e dy fëmijëve dhe shtatzënë në momentin kur e vranë me 31 goditje thikash.
Luljeta Heshta vrarë në vendin ku prostituonte në Itali nga partneri.
Sanije Bandulla 83 vjeç, vritet me armë nga burri.
Anisa Shehu vrarë në Greqi me një thikë 28 cm.
Joana Peca, vrarë në sy të fëmijëve të saj të vegjël në Florida USA.
Violeta Gurraj e gjetur e masakruar një javë pasi kishte dhënë shpirt. Por ende nuk ka një emër, për vrasësin e saj.
Fellenxa Rasa vrarë nga burri në Divjakë të Lushnjës.
Jekouki Jaboa vrarë nga partneri shqiptar ditën e parë të vizitës së saj në Shqipëri.
Elinda Topalli, vrarë nga burri teksa ishte duke luftuar kancerin.
Elona Ibrushi, e fundit e listës së heroinave, që nuk u vranë në luftë por në shtëpi. Elonën e vrau burri para pak ditësh në Greqi.
Dhe Nafize Merkja, sot është një grua më pak në botë, e një botë që mungon. Vdekja e saj ka kaluar në heshtje, pa u bërë as lajm.
20 gra të vrara, 20 karrige bosh në festat e fundvitit, 20 bija më pak, 20 motra më pak, 20 nëna më pak, 20 universe më pak, 20 njerëz më pak, 20 botë më pak. E pse?
Për faj të shoqërisë që na ka shtypur e na ka gënjyer, na ka ndrydhur, na ka vrarë e po na përdhunon çdo ditë.
Se harruan të na thonin që në krye të herës, që burrat shqiptarë nuk lahen me një pikë ujë, shumë syresh lahen me gjakun e grave!/Arjola Hajdini