Pas reagimit të dy ditëve më parë nga dy organizatat, Aleanca kundër diskriminimit LGBT dhe ProLGBT, ndaj thirrjeve për dhunë nga dy moderatorët e emisionit “Stop” në TV KLAN kundrejt disa personave që janë shfaqur me figurë të pastër dhe me zë të pandryshuar në disa kamera të fshehta, të cilët janë akuzuar se “gjuajnë” djem minorenë tek liqeni artificial (edhe pse asnjë provë pedofilie nuk u pa në ato regjistrime), asnjë nga televizioni KLAN apo emisioni televiziv “Stop”, nuk kërkoi falje publike apo distancua nga këto thirrje dhune.
Thirrja për dhunë ishte shumë e shëmtuar dhe njëkohësisht e frikshme. Më poshtë mund të lexoni të cituar se cfarë kanë thënë moderatorët:
Saimir Kodra:
“Unë kam një propozim interesant për të gjithë këta, sigurisht është zgjedhja juaj, por unë ju neveris deri në vdekje, më quani ndaç homofob a si quhet ajo, nuk ma ndjen fare cepi. Bashkia e Tiranës, të marri një fushë ku të mblidhen të gjithë këta me njëri-tjetrin. I bëj një thirrje shumë qytetare këtyre çunave të Rrugës Bardhyl, që herë pas here rrifen e vriten me njëri-tjetrin. Nuk mundeni dot një javë të vetme ta keni javën për të pastruar Tironën? Dilni kshu si sportista me tuta, me biçikleta, me patina, knej nga këto rrugët. Dil sistemo!
Gentian Zenelaj:
“Është shumë e vështirë me i dhënë biçikletës me pistoletë.”
Për këtë arsye Aleanca kundër diskriminimit LGBT ka bërë një kallëzim penal për veprën penale “Thirrje publike për vepër të dhunshme” dhe “Thirrje për urrejtje nacionale” parashikuar nga neni 223 dhe 266 të Kodit Penal dhe me bazë ligjore nenin 283 të Kodit të Procedurës Penale kundrejt Z. Saimir Kodra dhe Z. Gentian Zenelaj.
Sipas nenit 223 të Kodit Penal : Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.Sipas nenit 266 të KOdit Penal: Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet./ Edlira Mara