Organizatorët kanë anuluar një marshim të Krenarisë në Gjeorgji pasi demonstruesit e ekstremit të djathtë sulmuan selinë e aktivistëve LGBTQ dhe gazetarët.
Video dhe fotografi të shpërndara në rrjete sociale treguan protestues anti-homoseksualë që sulmonin një ndërtesë tre katëshe për të hyrë në selinë e organizuesve të Tbilisi Pride në kryeqytetin gjeorgjian ditën e djeshme, ndërsa diku tjetër burra me mjekër të gjatë me rrobat e priftërinjve goditën me grushta dhe shkelma gazetarët, duke shkaktuar rreth 20 të plagosur.
Një gazetar tha se ai u rrah me një shkop ndërsa të tjerët raportuan se u ishin thyer kamerat dhe pajisjet e tjera.
Irakli Garibashvili, kryeministri i vendit, të hënën reagoi mbi ngjarjet në fjalë, ku pretendonte se organizatorët e Paradës së Krenarisë kishin provokuar dhunën, duke thënë se ishte “e paarsyeshme” të zhvillohej demonstrata në një vend publik që mund të çonte në “konfrontim civil”.
Ndërkohë, një anëtar i parlamentit akuzoi “opozitën radikale” për sponsorizimin e ngjarjeve LGBTI.
Gjatë trazirave, protestuesit kanë sulmuar me thikë dhe një turist polak në Tbilisi, për shkak se ai kishte një vath, duke pretenduar se turisti ishte gjithashtu pjesëtar i komunitetit LGBTI.
Pas trazirave dhe dhunës, organizatorët thanë më vonë se marshimi nuk do të mbahej.
“U shpall luftë, kundër shoqërisë civile dhe vlerave demokratike,” thanë organizues të Tbilisi Pride.
“Veprimet e qeverisë kanë treguar qartë se ata nuk duan të kryejnë detyrën e saj të drejtpërdrejtë. Mosveprimi i pushtetit ekzekutiv ka vënë në rrezik real shëndetin dhe jetën e qytetarëve gjeorgjianë. ”. / HistoriaIme