Ditën e sotme, Aleanca LGBT dhe Pro-LGBT, i dërguan një kërkesë zyrtare Urdhrit të Psikologut të Shqipërisë, për të reaguar mbi deklaratat e bëra nga psikologe Marsela Lekli në emisionin ABC e Pasdites për komunitetin LGBTI+.
Pavaresisht nëse znj.Lekli është pjesë ose jo e Urdhrit te Psikologut, deklaratat e saj janë të demshme për imazhin e profesionit të psikologut në përgjithësi dhe organizatat kërkojnë distancimin publik të UP nga keto deklarata.
Në vijim kërkesa e plotë:
Përshëndetje,
Duke marrë shkas nga deklaratat e javës së shkuar të bëra nga psikologia Marsela Lekli, në emisionin ABC e Pasdites të datës 8 Qershor 2021, dëshironim të sillnim në vëmendjen tuaj
gjuhën diskriminuese të përdorur prej znj. Lekli, ndaj së cilës do të vlerësonim reagimin dhe distancimin publik të institucionit tuaj.
Znj. Lekli përdor gjuhë diskriminuese dhe denigruese, me konotacion negativ e të pabazuar në fakte, duke deklaruar se fëmijët e rritur në familje me prindër të të njëjtit seks “do jenë si ata në të ardhmen”, “sheh rrushi rrushin e piqet”, “me atë brumë do rritet ai fëmijë”, “familjet LGBT janë kundër traditës tonë familjare dhe shoqërore”, “si mund të zhvillohet shoqëria me 1 çift homoseksualësh?”, “nuk mund të krahasohet një çift homoseksualësh me një çift normal që nga fatkeqësia nuk bëjnë dot fëmijë” etj.
Në vijim të këtyre fakteve pretendojmë se prononcimi dhe artikulimi publik i Marsela Leklit, në këtë rast, përbën haptazi diskriminim në kuptim të nenit 3 të ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, pasi znj.Lekli, që merr pjesë në jetën publike mes daljeve publike, me prononcimet dhe artikulimin e mbajtur ka të gjitha mundësitë të ketë krijuar dhe/ose të krijojë në të ardhmen baza për mohimin e barazisë dhe krijimin e paragjykimeve të padrejta e të pabazuara të publikut të gjerë, ndaj një personi apo grupi personash.
Pretendojmë se deklarata publike e psikologes në fjalë, përvecse diskriminuese përbën edhe një rast të nxitjes së urrejtjes në kuptim të nenit 256 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, për shkak të orientimit seksual të individëve LGBTI.
Dëshirojmë të sjellim në vëmendje gjithashtu dhe deklaratën tuaj të datës 15 Maj 2020, mbi ndalimin e terapisë së konvertimit, në bazë të së cilës institucioni juaj duhet të mbajë një qëndrim publik mbi reagimet dhe deklaratat e zonjës Lekli, e cila në mënyrë direkte ul besimin e personave LGBTI+ te psikologët dhe dëmton punën e realizuar ndër vite mbi ngritjen e këtyre urave të besimit, midis personave LGBTI+ dhe psikologëve e ofruesve të shërbimeve psiko-sociale.
Duke shprehur konsideratën më të lartë për punën tuaj, mbesim në një përgjigje mbi rastin në fjalë.
Me respekt,