Dita e 8 Marsit konsiderohet si një ditë ndërkombëtare e cila ka në fokus gratë. Ndërsa në shumë vende të botës data 8 Mars shënjohet si ditë proteste dhe revolte për të drejtat e tyre, në Shqipëri ndodh ende e kundërta.
8 Marsi konsiderohet si ditë feste ku të gjithë i dhurojnë lule dhe dhurata nënës, motrës, hallës, tezes, partneres së tyre në shenjë respekti dhë dashamirësie. E ndërkohë nga ana tjetër ka dhe nga ata të cilët nuk duan ta konsiderojnë thjesht si një ditë festive por vendosin që pikërisht në këtë ditë të dalin dhe të manifestojnë nëpër rrugët e qytetit. Me pankarta në duar përpiqen të tregojnë se vajzat dhe gratë meritojnë respekt gjatë, dhe përtej 8 Marsit.
Edhe në Shqipëri janë të shumta organizatat, lëvizjet feministe apo mediat te cilat kanë në fokus të drejtat e njeriut dhe promovimin e të drejtave të barabarta për gratë në shoqëri. Një prej këtyre lëvizjeve është edhe “Pink Movement” e cila nëpërmjet kauzave dhe projekteve të ndërmarra ka tentuar të jetë më pranë grave të dhunuara, diskriminuara, paragjykuara duke ngritur zërin për të gjitha ato të cilat heshtin nga frika.
Së fundmi ato kanë realizuar edhe disa projekte shume speciale të cilat u inicuan me rastin e 8 Marsit. Për më tepër na tregon një prej organizatoreve të projektit , në një intervistë që realizuam me të për Historia Ime.
Projekti që keni ndërmarrë në lidhje më të moshuarat në azil, pse vendosët ta quani “Për duart që na kanë rritur”?
Për duart që na rritën është një projekt që ka në fokus nënat dhe gjyshet e braktisura në shtëpitë e të moshuarve. Lidhja midis nipërve dhe gjyshërve të tyrë është shumë e vecantë pasi shumica prej nesh është rritur nga duart e tyre.
Cili është mesazhi që dëshironi të pasqyroni nëpërmjet ndërmarrjes së këtij projekti?
Më anë të këtij titulli ne donim të jepnim këtë mesazh: “Mos i braktisni duart që ju kanë rritur, duajini dhe kujdesuni për gjyshërit dhe prindërit tuaj.”
Ju vendosët që të dhuronit disa kremra për të moshuarat e azilit, a kishit partnerë të tjerë bashkëpunues dhe arritët t’i lumturonit sadopak këto nëna të vetmuara?
Kremrat për duart u dhuruan nga Elona, një grua e cila ka biznes dermokozmetike, Inoo Cosmetic. Është një dhuratë simbolike, por e bërë më shumë dashuri, pasi ato gjyshe për këtë kanë nevojë, për dikë që i kujton dhe gjendet pranë tyre sidomos në këtë ditë të shënuar, në ditën ndërkombëtarë të gruas.
A mendoni se këto iniciativa që ndërmerrni shërbejne sadopak në ndërgjegjësimin e njerëzve për të ndihmuar dhe për të qenë më pranë atyre që kanë nevojë?
Projektet tona ne i publikojmë në rrjetin tonë social ku kemi një komunitet të gjerë vajzash dhe djemsh që i shikojnë mesazhet që përcjellim. Sikur 3 ose 4 vajza ta kenë parë këtë project, jam e sigurt se diçka brenda tyre ka ndryshuar, jam e bindur se nëse do i jepet mundësia, ato do e ndihmojnë një person në nevojë.
Rinia jonë ka nevojë për shembuj të mirë që ti ndjeki, ne këtë po përpiqemi të arrijmë.
Në lidhje me projektin e dytë “Të gjithë meritojnë një mundësi të dytë” që keni vendosur ta realizoni në burgun e grave, çfarë ju shtyu të merrni një iniciativë të tillë?
Pink Movement është krijuar para 3 vitesh dhe nisma jonë e parë i është adresuar pikërisht gravë të burgut 325 në Tiranë. Kur kemi shkuar aty dhe kemi takuar disa prej të dënuarave e kemi kuptuar vërtet peshën e madhe të paragjykimit që ato mbartin. Përveç faktit që janë të dënuara nga ligji për veprat që kanë kryer, dënohen edhe njëherë tjetër nga shoqëria jonë, nga familja e tyre që i braktis, madje nuk i lejon të takojnë as fëmijët e tyre. Ajo që pamë dhe dëgjuam na bëri të mendojmë që duhet të bëjmë më shpesh projekte që lidhen më gratë e këtij institucioni.
Si është jeta e një gruaje në burgjet shqiptare dhe si arrin ajo ta përballojë jetesën në një mjedis të tillë?
Kushtet atje janë në përgjithësi të mira, ato janë familjarizuar dhe ndihmojnë njëra tjetrën të lehtësojnë sadopak ditët në mungësë të lirisë, por gjithsesi nuk është e lehtë.
Pink Movement është një lëvizje feministe e cila ka në fokus mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në veçanti mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave.
Kur lindi ideja e krijimit të një lëvizjeje të tillë dhe pse u quajt pikërisht “Pink Movement”?
Duke marrë parasysh vendin në të cilin jetojmë, pothuajse çdo grua që kam njohur në jetën time e kam parë shpesh jo të lumtur dhe në njëfarë mënyre të nënshtruar nga gjinia tjetër. Ndoshta jo më qëllim, por mentaliteti jonë ja imponon meshkujve sjelljen superiore ndaj seksit femër. Kështu më lindi ideja se duhej të bëja dicka që kjo të ndryshonte prandaj vendosa të krijoja një lëvizje feministe ku vajzat të gjenin motivim dhe një mënyrë ndryshe të të menduarit. Ngjyra Pink është vendosur si ngjyra e vajzave dhe mendova se ky emër do i tërhiqte ato të bëheshin pjesë e një komuniteti ku do ndiheshin më mirë.
Cila ka qenë një ndër iniciativat apo projektet më të mira që keni ndërmarrë?
Projekte kemi patur shumë në këto 3 vite, nuk mund të bëj dallime midis tyre pasi kemi punuar fort që secili të dalë sa më i bukur.
Të shumta janë vajzat e reja të cilat ju ndjekin dhe ju admirojnë për punën që ju kryeni, por të shumta janë dhe ato të cilat bien pre e dhunës qoftë fizikë, psikologjike apo seksuale. A ju kanë kërkuar ndihmë, këshilla, mendime, sugjerime se si të veprojnë apo kujt t’i drejtohen në raste të tilla abuzimi?
Marrim shumë mesazhe nga vajzat që janë abuzuar seksualisht, psikologjikisht ose fizikisht dhe gjëja e parë që bëjmë në cdo situatë është ti japim ndihmë psikologjikë për të cilën ato kanë nevojë më së shumti, një vend ku mund të shprehen dhe të ndihen të dëgjuara. Pasi i japim mbështetjen tonë, i nxisim të flasin me dikë më të rritur në mënyrë që të denoncojnë rastet e dhunës apo abuzimeve.