Punëtorët e Kombinatatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh që nga data 28 shtator të këtij viti, kanë hyrë në një grevë urie, ndërsa zotoheten se deri në plotësimin e plotë të kërkesave të tyre ata nuk do të dalin nga aty.
“Problemet tona kryesore janë rrogat e prapambetura, dhe vazhdimësia e punës në uzinë, këto janë dy kërkesat e panegocieshme, pa u zgjidhur këto dy kërkesa ne nuk tërhiqemi, ne do të shkojmë deri në vetëflijim, shteti po rri indiferenc, as nuk I intereson fare se ka punëtorë kjo uzinë, se ka qytetarë kjo zonë që janë pa bukë me fëmijët në shkollë, nuk e kuptoj”-shprehet Novruz Pashaj një grevist i cili nuk harron të kujtojë edhe përplasjen me policinë para disa ditësh në Ballsh, në njërën nga protestat e shumta të naftëtarëve.
“Ne vijmë këtu për uzinën për të drejtat tona, ai na dërgon policinë”-shprehet ai.
Kjo grevë e urisë, nuk është e papritur, po vjen pas dhjetëra protestash dhe gravash të tjera, vjen pas një kalvari të gjatë të naftëtarëve të cilët janë të tradhëtuar, të zgjënjyer dhe të gjunjëzuar përpara një pushteti i cili edhe pse kanë kaluar ditë nga nisja e grevës nuk ka thënë asnjë fjalë në lidhje me ta.
Privatizimi dhe pagat
Kombinati i përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh është privatizuar në vitin 2008, ndërsa sot pasi ka ndërruar disa pronarë, administrohet nga kompanitë Tosk Energji dhe Bylis Energji. Në tetor 2019, rafineria e Ballshit e ndërpreu punën, pasi kompania Bankers Petroleum i kufizoi furnizimin me naftë bruto, duke lënë mijëra punëtorë të papunë.
Aktualisht, naftëtarët kërkojnë pagesën e mbi 23 pagave të prapambetura që prej vitit 2015 e në vazhdim.
Pasi kaloi dorë më dorë që pas privatizimit të dështuar të vitit 2008, rafineria e Ballshit u mor në administrim në mars 2018 nga kompanitë Tosk Energji dhe Bylis Energji, të cilat janë në pronësi të dy kompanie zvicerane, CFD Conseils Sarl dhe PGFS Pilotage & Gestion S.
Tosk Energji fajëson kompaninë Bankers Petroleum për ndërprerjen e punës- si pasojë e mosfurnizimit me naftë, ndërkohë që Bankers u përgjigj se kishte qenë kompania Tosk Energji që prishi kontratën në mënyrë të njëanshme.
Punëtorët e rafinerisë së Ballshit e konsiderojnë të rëndë mbylljen e syve nga institucionet e shtetit – duke i lënë ata pas asnjë mundësi mbijetese.
“Ne kemi fituar vendimin e Gjykatës, përmbarimi dhe instituciont na kanë hedhur sa në një zyrë në një tjetër , jo sot jo nesër na thotë. Shteti duhet të ndërhyjë për të na zgjidhur këtë situatë, sepse ajo është djersa jonë, nuk po kërkojmë as ndihmë ekonomike e as asgjë tjetër, por punën tonë. shprehet një nga grevistët i revoltuar.
Gjykata
Sipas vendimit të formës së prerë të gjykatës së rrethit gjyqësorë Vlorë, 61-2017-4372, të datës 29/09/2019 kompania ARMO u detyrohet 13 paga, 26 punonjësve të kësaj kompanie. Po me këtë datë Gjykata ka vendosur për të lëshuar urdhrin e ekzekutimit të këtij vendimi, ndërsa ka ngarkuar shërbimin e përmbarimit shtetëror ose privat për të ekzekutuar këtë vendim.
Por, sot e asaj ditë shërbimi përmbarimor që ka marrë përsipër ekzekutimin e vendimit ende nuk e ka ekzekutuar atë, dhe tanimë deri në ekzekutimin e këtij vendimi naftëtarët janë në grevë, pa rroga dhe pa punë, dhe me dyshime të forta për të ardhmen e tyre dhe të familjes./ HistoriaIme