Po! Tashmë politika e fragmentarizuar në opozitë të re, të jashtme, të brendëshme dhe në një maxhorancë ku “ushtarët” po bien një nga një e dita ditës, ku pakënaqësitë shtohen dhe detyrojnë protagonistë të caktuar të hedhin vështrime tinëzare nga drejtime të ndryshme për t’i mbijetuar 25 Prillit, komuniteti LGBTI në shqipëri duhet të reagojë. Por jo vetëm!
Në prag të 2021-it, lëvizja për të drejtat e komunitetit LGBTI ka pjekurinë e duhur dhe sidomos eksperiencën mjaftueshme të orientojë komunitetin e saj drejtë alternativës më të mirë të mundshme politike, ose të paktën vetë personat tashmë kanë një kulturë dhe përgatitje tjetër për të gjykuar.
Në fillimet e lëvizjes, bëhej fjalë për adoleshentë e të rinj të frikësuar, të ç’orientuar, të mbyllur, të dhunuar të cilët mes heshtjes, frikës, paragjykimeve dhe steriotipeve duhet të përballonin jetesën e tyre, por brenda kishin vullnetin të organizoheshin, të mblidheshin, qoftë dhe në formë realisht të thjeshtë e spontane.
Sot, realiteti paraqet një minimum ndryshimi, dhe është çasti që gjërat duhen çuar më tej.
Nuk mund të flitet për të drejta të çfarëdo-llojshme duke shpresuar të mos bësh debat, politikë e të krijosh trazirë (trazirat nuk janë vetëm fizike e të dhunshme, por dhe në formën e debatit të hapur mediatik e shoqëror).
Martin Luther King nuk do të arrinte që komuniteti afro-amerikan të dëgjohej, nëse nuk do të shkaktonte debat të gjerë e nëse aktivizmin nuk do ta çonte në nivele politike. Nëse ka diçka që kemi mësuar nga 30 vitet e “demokracisë” shqiptare është se aktorët kryesor, shesin e blejnë dreqin për një grusht vota në çaste të caktuara të një brishtësie të pozitës së tyre. Kjo është arma më e rëndësishme që kanë në dorë lëvizje të caktuara për të drejtat civile dhe të njeriut.
Sot ata adoleshentë e të rinj, janë pjesë e motorrit e konomik e social të shoqërisë sonë. Sot ata e ato janë të aftë për gjykim objektiv të rëndësisë së votës së tyre.
Rëndësia jo vetë e organizatave LGBTI, por e të gjithë shoqërisë civile, është të zgjojë tek qytetarët që përfaqësojnë interesin vetjak në dobi të të drejtave civile në gjykimin gjatë proçesit zgjedhor. Komunitetet kanë nevojë për programe specifike, që kushdo forcë politike apo koalicion të vi në pushtet të detyrohet të ndërmarrë iniciativa të mirëorientuara e jo premtime të shkruara në faqe blloqe shënimesh të cilat do të lihen në harreën pas-zgjedhore.
Është koha që obligimi i kastës politike për të vepruar aktivisht dhe seriozisht në plagët e përherëshme të shoqërisë sonë të vi si një kërkesë dhe obligim nga vetë individët si pjesë e shoqërisë shqiptare, por dhe si pjesë e komuniteteve të caktuara.
Masat duhen orientuar në mënyrë të atillë që koshienca e secilit të përputhet në të mirën e përbashkët dhe të komuniteteve ku ata bëjnë pjesë e për këtë aktorët e shoqërisë civile dhe në mënyrë të veçantë organizatat e komuniteteve të margjinalizuara duhet të punojnë në mënyrë të tillë që forcat politike pikësëpari të kthejnë vështrimin në grupet e caktuara shoqërore e të kuptojnë rëndësinë e tyre dhe së dyti vetë komunitetet të mos bihen preh e teknikës së moçme të humbjes së votës. / Eugert A.