Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes dhe Fondacioni Friedrich-Ebert Tirana kanë publikuar Barometrin Shqiptar të Sigurisë.
Sipas një pyetësori me 1115 të anketuar, rezultatet janë mjaft interesante duke sjellë perceptimet e shqiptarëve nga tema si siguria, tek respektimi i të drejtave të njeriut nga policia.

“Barometri i Sigurisë Shqipëri (BSSH), synon të kontribuojë në mbushjen e hendekut ndërmjet politikë-bërjes dhe dhënies së sigurisë, si dhe shqetësimet dhe pritshmëritë e qytetarëve nëpërmjet matjes së qëndrimeve dhe perceptimeve të publikut. BSSH-ja është një kontribut i shoqërisë civile ndaj përpjekjeve të përgjithshme për të përmirësuar sistemet e qeverisjes demokratike në Shqipëri.”, shkruhet në hyrje të botimit shoqërues.
Të dhëna interesante shfaqen dhe mbi besimin e qytetarëve tek institucionet, ku normat e besimit te qeveria, ministritë dhe institucionet e sigurisë rezulton në nivel mesatar, ndërsa perceptimi për nivelin e korrupsionit në këto institucione është i lartë.
“Doganat perceptohen si më të korruptuarat dhe më pak të besuarat, ndërkohë që Ushtria perceptohet si më pak e korruptuar dhe gëzon më shumë besim sesa SHISH dhe Policia e Shtetit.”
Interesant mbetet dhe perceptimi për institucionet e drejtësisë, Prokuroria dhe Gjykatat, që vijojnë të perceptohen si më të korruptuarat, edhe pas disa vitesh kur po flitet për reformë të sistemit të drejtësisë, dhe shfaqin një nivel më të ulët besimi sesa institucionet e sigurisë tek qytetarët.
Megjithatë niveli i besimit tek Prokuroria Speciale dhe Gjykatat Speciale kundër korrupsionit dhe krimit është shumë i lartë, dhe qytetarët mendojnë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të fuqizohet pas formimit të plotë të tyre.
Sipas gjetjeve kryesore:
• Një pjesë e madhe e qytetarëve ndihen të sigurt në vendbanimin dhe në vendin e punës së tyre. Megjithatë, pasiguria në vendin e punës është më e lartë se në vendbanim.
• Vjedhja, grabitja, konfliktet lidhur me pronën dhe vrasjet, perceptohen si kërcënimet kryesore ndaj sigurisë personale.
• Kënaqësia e përgjithshme me situatën e sigurisë nga ana e institucioneve në krye të kësaj detyre është kryesisht e lartë. Policia e Shtetit konsiderohet si ofruesi kryesor i sigurisë, por një pjesë e madhe e qytetarëve identifikojnë veten si ruajtësit kryesorë të sigurisë së tyre. Një numër më i madh qytetarësh tregojnë se janë të kënaqur me kontributin e Ushtrisë për sigurinë sesa të shërbimeve të inteligjencës.
• Më shumë se gjysma e qytetarëve kanë pritshmëri që situata e sigurisë të jetë e njëjtë ose më e keqe për 12 muajt e ardhshëm.
• Qytetarët identifikojnë një ndërlidhje midis prezencës së policisë dhe masave të sigurisë, por rritja e numrit të policëve si mënyrë e përmirësimit të sigurisë, nuk mbështetet nga shumica e qytetarëve. Nga ana tjetër, përmirësimi i sigurisë me anën e modernizimit të policisë shihet si një opsion më i preferueshëm nga një shumicë më e madhe e popullsisë. Të dy elementët, rritja e numrit të policëve dhe modernizimi i policisë, favorizohen më shumë nga ana e qytetarëve që jetojnë në zona rurale dhe periferike.
• Korrupsioni, krimi i organizuar dhe papunësia, perceptohen si tre kërcënimet kryesore ndaj sigurisë në Shqipëri. Për rajonin e Ballkanit, perceptimi është që kërcënimi kryesor i sigurisë është lufta midis shteteve, terrorizmi, krimi i organizuar dhe korrupsioni. Në nivel global, terrorizmi, lufta midis shteteve dhe ngrohja globale perceptohen si tre kërcënimet kryesore të sigurisë.
• Më shumë sesa gjysma e qytetarëve mendojnë se marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit nuk janë përmirësuar gjatë vitit të fundit.
• Qytetarët e Shqipërisë konsiderojnë NATO-n dhe BE-në si kontribuues pozitivë ndaj sigurisë së Shqipërisë dhe mendojnë se siguria e Shqipërisë do të përmirësohet me anëtarësimin në BE. Qytetarët e Shqipërisë mbeten optimistë lidhur me anëtarësimin në BE, pasi më shumë se 90% mendojnë se vendi do të arrijë këtë objektiv brenda 20 vjetëve në rastin më të vonë. Vetëm një përqindje e vogël mendojnë se anëtarësimi s’do të ndodhë asnjëherë.
SHBA, Gjermania dhe Italia janë identifikuar si tre shtetet më miqësore ndaj Shqipërisë. Megjithatë, qytetarët shqiptarë shfaqen si të painformuar plotësisht lidhur me të ashtuquajturin kërcënim ndaj sigurisë nga ana e ndikimit të vendeve të treta. Një përqindje e lartë e qytetarëve mendojnë se ndikimi i Rusisë, Kinës, Turqisë, Iranit dhe vendeve Arabe është neutral apo dhe pozitiv, ndaj sigurisë së Shqipërisë.
• Korrupsioni dhe krimi i organizuar shihen si pengesat kryesore ndaj integrimit në BE nga ana e një shumice të madhe prej 86.55% të qytetarëve. Gjysma e qytetarëve mendojnë se lufta kundër krimit të organizuar nuk do të fitohet kurrë. Qytetarët më të rinj janë më skeptikë ndaj arritjeve në luftën kundër krimit të organizuar.
• Një shumicë e madhe e qytetarëve mendojnë se policia nuk i trajton të tërë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe se nga të punësuarit në administratën shtetërore dhe institucionet e sigurisë, një pakicë prej tyre janë punësuar në bazë të meritave dhe aftësive të tyre.
• Qytetarët mendojnë se ndikimi politik mbi institucionet e sigurisë është kryesisht i lartë, ku Doganat janë institucioni më i ndikuar nga politika, ndjekur nga Policia e Shtetit, SHISH dhe Ushtria. Institucionet e Drejtësisë, të Prokurorisë dhe Gjykatat, perceptohen si më të ndikuarat nga politika.
• Besimi i qytetarëve tek qeveria, ministritë dhe institucionet e sigurisë është mesatar ndërkohë që perceptimi për përhapjen e korrupsionit është i lartë. Doganat perceptohen si më të korruptuarat dhe më pak të besuarat, ndërkohë që Ushtria perceptohet si më pak e korruptuar dhe gëzon më shumë besim sesa SHISH dhe Policia e Shtetit.
• Institucionet e Drejtësisë, Prokuroria dhe Gjykatat, perceptohen si më të korruptuara dhe kanë një nivel më të ulët besimi sesa institucionet e sigurisë. Megjithatë niveli i besimit tek Prokuroria Speciale dhe Gjykatat Speciale kundër korrupsionit dhe krimit është shumë i lartë, dhe qytetarët mendojnë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të fuqizohet pas formimit të plotë të tyre.