“Hajdeni bëni biznes në Shqipëri, se këtu nuk ka sindikata” është një ndër frazat që do të mbahet mend gjatë në historinë e punëtorëve në Shqipëri.
Kjo thirrje, është thënë vetë nga kryeministri Edi Rama, në kohën kur ai sapo kishte filluar mandatin e parë si kryeministër, dhe para tij ishin kamerat e dhjetëra televizioneve shqiptare dhe italiane, duke mbuluar vizitën e kryeministrit italian të asaj kohe Mateo Renzi në Tiranë.
Sot, 7 vjet më pas, duket sikur gjërat kanë nisur të ndryshojnë, jo si meritë e Ramës kryeministër, por ndërgjegjësimit të punëtorëve, dhe bashkimit të tyre në disa sektorë.
Jo vetëm që gjërat kanë ndryshuar, por janë krijuar dhe sindikata të mirëfillta, e madje këto të fundit, kanë guximin që të hedhin në gjyq edhe kompani ndër më të fuqishmet në vendin tonë.
Ditën e sotme, Sindikata Solidariteti, sindikata e Call-Centerave, ka dorëzuar një padi, që shënon edhe një hap padyshim ndër më historikët për të drejtat e punëtorëve në vendin tonë, që pas grevës së përgjithshme të vitit 1991.
Kompania “Teleperformancë” është hedhur në gjyq nga sindikata e punëtorëve.
Në të gjitha rastet, pavarësisht si do të shkojë gjyqi, ky do të mbetet padyshim nga ato që do të quhen “Gjyqe Historikë” në historinë jo pak të trazuar të vendit tonë, një histori shtypjeje e punëtorëve, e vdekjeve në vendin e punës, që në fund të ditës janë thjesht statistika në sytë e institucioneve, dhe njoftimi i radhës i kronikës së zezë nga policia .
Më poshtë njoftimi i sindikatës për arsyet e hedhjes në gjyq të Teleperformancës:
SINDIKATA SOLIDARITETI PADIT KOMPANINË TELEPERFORMANCE
Që nga fillimi i pandemisë Covid-19 punëtorët e sektorit call center janë përballur me probleme të shumta. Fillimisht mungesa e informacionit, më pas problemet me zhvendosjen e punës në shtëpi, problemet me mospagimin e karantinimit të detyruar e deri tek largimet masive dhe të padrejta nga puna. Të gjitha këto fenomene janë denoncuar publikisht dhe janë kundërshtuar nga Sindikata Solidariteti.
Megjithatë, largimet kolektive nga puna nga ana e kompanive të ndryshme, përfshirë edhe kompanitë si Teleperformance e cila pretendon të jetë punëdhënës lider në sektor, ishin më të dëmshmet dhe problematiket në këtë periudhë.
Që në javët e para të pandemisë, Teleperformance ka larguar nga puna mbi 90 punëtorë me argumentin e reduktimit të orëve të punës si pasojë e gjendjes së fatkeqësisë natyrore të krijuar nga pandemia Covid-19, por me premtimin se do i thërrasë të rifillojnë punën me përfundimin e kësaj gjendjeje. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe e njëjta kompani ka punësuar mbi 60 punëtorë të rinj dhe ka bërë disa herë thirrje publike për aplikime për rekrutime të reja.
Me përfundimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore më datë 23.06.2020, kompania vazhdoi të heshtë ndaj të larguarve nga puna duke e shkëputur kështu kontratën e punës në mënyrë të menjëhershme, pa shkaqe të justifikuara dhe në shkelje të procedurave të parashikuara nga Kodi i Punës për pjesën më të madhe të tyre.
Në këto kushte, dhjetëra punëtorë të larguar në mënyrë kolektive nga puna filluan procedurat për ngritjen e padisë ndaj kompanisë, duke kërkuar dëmshpërblimin e njohur nga ligji dhe kërkesën për rikthimin në punë. Sindikata Solidariteti ka organizuar një pjesë të këtyrë punëtorëve duke mundësuar ndjekjen e çështjes në gjykatë.
Padia është dorëzuar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe jemi në pritje të caktimit të datave për seancën e parë nga ana e saj. Sindikata do të publikojë gjithë ecurinë e këtij procesi dhe do të ndjekë nga afër edhe shumë punëtorë të tjerë që për arsye objektive nuk janë pjesë e kësaj padie kolektive.
Prandaj ju ftojmë të bëheni pjesë e Sindikatës Solidariteti dhe t’i ftoni shokët e shoqet tuaja të bashkohen!/ HistoriaIme