Është krijuar tension në protestën e naftëtarëve në Ballsh dhe kjo situatë u krijua pak minuta pasi kanë mbërritur përfaqësues të kompanisë që bëjnë përzgjedhje selektive mes stafit për të firmosur kontratat individuale të punës.
Një gjë e tillë është kundërshtuar nga punonjësit e tjerë. Ata kanë thyer kordonin policor dhe kërkojnë të futen në uzinë me force, pasi sot ishte paralajmëruar për një protestë për pagat e prapambetura që kompania u ka punëtorëve.
“Duam paret tona” si dhe “Mos i prek punëtorët”-ishin disa nga thirrjet e protestës.
Ndërsa përfaqësues të administratës së firmës kërkojnë që punëtorët të firmosin kontratën me firmën, ata kundërshtojnë dhe kërkojnë pagesat e prapambetura të pagës.
“Na jepni lekët para pastaj të firmoset kontrata. Kontrata nesër, sot duam lekët tona”,-dëgjohen punëtorët.
Ata bërtisnin njëzëri se i kanë fëmijët pa bukë dhe se donin paratë e tyre.
“ Dy javët e fundit ne kemi mbetur shumë të zhgënjyer, kjo pronë është e jona”, thanë naftëtarët më tej.
Kreu i sindikatës, Sokol Dautaj tha se përplasja me policinë ka qenë një acarim i momentit dhe se puna nuk do të rinisë deri të hënën.
“Afron dhe sezoni shkollor dhe nuk llogarisin vetëm bukën, por për fatin e fëmijëve tanë, që javën e ardhshme i drejtohen shkollës, duan libra e rroba. Acarimi ka qenë i momentit. Vendimi i ministres ka qenë vendosja në punë e rafinerisë më 22 maj, firma duhet të merrte detyrimet. Në listat që kanë qenë në shkëputjen e kompanisë qiramarrëse kanë qenë 850 punonjës, me reduktimin e punonjësve që ka marrë statusin e naftëtarëve janë 750. Ka filluar firmosja e kontratave individuale, deri të hënën nuk do nisë puna, deri në firmosjen e kontratës. Thërriten nga 10 persona, shkojnë në zyra dhe firmosin kontratën, ata duan që të nisin sa më shpejt punën. Në datën 7 kanë një takim të dytë, por prap janë mosbesues”, tha Sokol Dautaj./ HistoriaIme