Pas situatës së vështirë të krijuar në pikat kufitare me Greqinë, ku rradhët e gjata kilometrike shkaktuan paqartësi dhe madje dhe viktima, Ministria e Jashtme ka publikuar listën e vendeve kryesore dhe rregullat e hyrjes për shtetasit shqiptarë në to.
Për momentin, hyrja pa asnjë kufizim për shtetasit shqiptarë lejohet për në Kosovë, Turqi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në shtetet e tjera, lejohen kryesisht të hynë vetëm personat që kanë leje qëndrimi në këto vende.
Itali
Dekreti i datës 12 gusht 2020 i shtetit italian, lidhur me hyrjen në territorin e Italisë, kërkon paraqitjen e testit me rezultat negativ për COVID-19 për udhëtarët nga Malta, Spanja, Greqia dhe Kroacia. Në disa rajone të Italisë, për qytetarët të cilët nuk e kanë detyrim sipas Dekretit që të paraqesin testin, autoritetet italiane kanë marrë masa deri më tani, që këtyre pasagjerëve t’u bëhet tamponi (falas) në momentin e mbërritjes në aeroport në mënyrë që të vijojnë më tej drejt destinacionit të tyre.
Nga ky moment është i detyrueshëm izolimi në banesë në pritje të përgjigjes së tamponit. Kjo masë është marrë për shtetet që nuk janë të përfshira në Dekret, përfshirë Shqipërinë, me qëllim mospërhapjen e virusit COVID-19 në Itali.
Kategoritë e qytetarëve shqiptarë që mund të udhëtojnë drejt Italisë dhe nga Italia drejt Shqiperisë janë:
– Lejohet hyrja në Itali e qytetarëve shqiptarë që janë rezidente dhe të pajisur me leje qëndrimi italiane. (mbetet në fuqi detyrimi i izolimit/ karantinimit të mirëfilltë për 14 ditë).
– Lejohen udhëtimet për qëllime studimore;
– për nevoja pune të provuara
– për nevoja shëndetësore të provuara
– Lejohet të hyjnë në Itali, anëtarët e ngushtë të familjeve të qytetarëve shqiptarë me leje qëndrimi dhe rezidencë Italiane (bashkëshorti/bashkeshortja, fëmijët deri në 21 vjeç, prindërit bashkëjetues, anëtarët e tjerë të familjes të varur për arsye të aftësisë së kufizuar), të provuara me dokumentacionin përkatës.
Të gjithë qytetarët shqiptarë që përmbushin kriteret e mësipërme, mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë edhe me pasaportën e tyre të skaduar brenda vitit 2020. Që të rikthehen në territorin italian duhet të bëjnë më parë, rinovimin e pasaportës në Shqipëri.
Greqi
Shtetasit shqiptarë me pasaportë shqiptare nuk mund të udhëtojnë drejt Greqisë deri në datën 31 gusht. Gjithashtu, në fluturimet nga Tirana në Athinë kërkohet test negativ i Covid (nga data 7-31 gusht), ndërsa në kufirin tokësor (Kakavijë dhe Kapshticë) testi negativ do të kërkohet duke filluar nga data 17 gusht.
Belgjikë
Për shtetasit shqiptarë të cilët udhëtojnë në Belgjikë (vetëm udhëtime esenciale nëse nuk kanë dokumente qëndrimi), është i detyrueshëm plotësimi i formularit 48 orë përpara udhëtimit dhe karantinimi prej 14 ditësh.
Mbretëri e Bashkuar dhe Irlandë
Në MB dhe Irlandë, mund të hyjnë nga Shqipëria shtetasit e këtyre vendeve (Irlandë dhe MB) dhe të gjithë shtetasit e tjerë (perfshirë ata shqiptarë) që kanë leje qëndrimi në këto vende. Të gjithë shtetasit e lartpërmendur, i nënshtrohen karantinimit 14 ditë.
Suedia, Finlanda, Norvegjia dhe Islanda në vijim të Rekomandimeve të Këshillit të BE, kanë vendosur zgjatjen e përkohshme të ndalimit të hyrjeve në BE nëpërmjet vendeve jashtë Bashkimit Evropian.
Zvicër
Aktualisht hyrja e shtetasve shqiptarë nuk është e lejuar, me përjashtim të rasteve të veçanta, siç mund të jenë emergjencat shëndetësore, familjarë të shtetasve zviceranë apo atyre me rezidencë në Zvicër, etj.
Gjermani
Sipas udhëzimeve të MPJ gjermane dhe MB pas hyrjes në Gjermani pas qëndrimit në një zonë rreziku ku përshihet edhe Shqipëria udhëtarët duhet të:
- vazhdojnë direkt në destinacionin e tyre pas hyrjes në Gjermani;
- izolohen në shtëpi ose në një akomodim të përshtatshëm;
- me email ose telefon të njoftojnë autoritetin kompetent, si rregull, Ministrinë e Shëndetësisë në zonën e vendbanimit / akomodimit në landin përkatës.
Ministria Federale e Shëndetësisë ka njoftuar se në të ardhmen e afërt kushdo që arrin në Gjermani nga një zonë e rrezikut do t’i kërkohet t’i nënshtrohet një testi COVID-19.
Procedura dhe masat e zbatimit në nivel landi mund të ndyshojnë nga një land tek tjetri dhe është e nevojshme të kontrollohet paraprakisht faqja zyrtare e secilit land.
Lidhur me rastet kur testet e COVID-19 kryhen në aeroport udhëzimet lidhur me kohën e pritjes së rezultatit dhe karantinimit jepen edhe nga zyrtarët e aeroportit.
Austri
Momentalisht shtetasit shqiptarë nuk mund të udhëtojnë drejt Austrisë. Austria lejon tranzitin si dhe udhëtimin e shtetasve shqiptarë të cilët kanë leje qëndrimi në Austri ose në një nga Vendet Shengen (por jo nëse vijnë nga Suedia, Spanja, Portugalia). Gjithashtu, hyrja nga Shqipëria edhe e shtetasve me leje qëndrimi lejohet nëse personat kanë test negativ, i nënshtrohen karantinimit ose kryejnë testin brenda 48 orëve nga hyrja.
Franca, Holanda, Spanja dhe Portugalia nuk lejojnë udhëtimin drejt tyre të shtetasve shqiptarë të cilët nuk janë të pajisur me vizë D të vlefshme apo me leje qëndrimi në këto 2 vende.
Hungari
Personat që vijnë nga vendet e kategorisë së kuqe, ku aktualisht përfshihet edhe Shqipëria, duhet të karantinohen për dy javë në Hungari. Pra, ky rregull nuk ka si kriter shtetësinë e qytetarëve por vendet nga vijnë.
Bosnje-Hercegovinë
Bosnja e ka vendosur Shqipërinë në “zonën e kuqe”. Shtetasit e Shqipërisë hynë në BiH vetëm nëse kanë një shkak të rëndësishëm, të cilin duhet ta vërtetojnë me anë të një dokumentacioni (ftesë/leje nga pala boshnjake), si dhe duhet të kenë, detyrimisht, certifikatën e testit negativ për virusin SARS-CoV-2, jo më të vjetër se 48 orë, para se të hyjnë në BiH.
Lista e plotë e shteteve me përditësimet e fundit mund të aksesohet duke klikuar këtu.
Burimi i fotos: THE CANADIAN PRESS/Nathan Denette