Prania e OSBE-së në Shqipëri i ka bërë thirrje mazhorancës qeverisëse të dekriminalizojë shpifjet dhe ka inkurajuar vetë-rregullimin e mediave në Shqipëri.
Përmes një deklarate, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, OSBE ka tërhequr vëmendjen për disa nga çështjet më shqetësuese me të cilat përballen media shqiptare, përfshirë kontratat e mirëfillta të punës, qasje në informacionin public, dhe përqëndrimin e pronësisë së medias.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri qëndron përkrah gazetarëve shqiptarë në përmbushjen e misionit kritik të medias në çdo vend demokratik e në çdo kohë, veçanërisht në kohë krize si kjo e pandemisë #COVID19. Ne i mbështetim gazetarët në përpjekjet e tyre për kontrata pune të mirëfillta, për më shumë qasje në informacion, për liri shprehjeje dhe për më shumë profesionalizëm. Me këtë rast, përsëritim edhe rekomandimet e OSBE-së që gazetarët të lejohen në veprimtari publike, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore; që pronësia e medias të mos jetë e përqendruar; dhe që shpifja të hiqet plotësisht nga Kodi Penal. Ne nxitim vetërregullimin e medias si një alternativë më e mirë krahasuar me rregullimin nga ana e qeverisë.”-shkruan OSBE në deklaratën e saj.
Theksojnë se Shqipëria këtë vit ka kryesimin e Presidencës së OSBE, dhe ligji anti-shpifje, i miratuar nga kuvendi e i kthyer nga Presidenti Ilir Meta përsëri në Kuvend, ende nuk ka kaluar për herë të dytë që të marrë formë zyrtare, por është kritikuar si nga institucionet ndërkombëtare dhe media e gazetarët në Shqipëri./ HistoriaIme