Kompleksi i Teatrit Kombëtar është emëruar zyrtarisht në listën e “7 Siteve më të Rrezikuara” nga Europa Nostra.
Me një njoftim në Facebook, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shpreh mirënjohjen për vendimin e marrë, duke shtuar se ky titull vërteton se Teatri Kombëtar njihet ndërkombëtarisht si një sit i trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, por edhe Evropës.
“Titulli tashmë i hap rrugë përpjekjes për të restauruar godinën, ku Europa Nostra luan një rol thelbësor për të lobuar për projektin dhe fondet e nevojitura. Kjo arritje nuk do ishte e mundur pa mbështetjen e qindra e mijëra qytetarëve gjatë këtyre dy viteve betejë të vazhdueshme.
Lufta për ruajtjen e Teatrit Kombëtar vazhdon, por sot u fitua një betejë e rëndësishme!”, shkruhet në njoftimin e AMT.
Ndërkohë që Teatri është shtuar dhe në listën online të monumenteve më të rrezikuara, ku përshkruhet si një shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane nga vitet ’30, e cila është një nga qendrat më të spikatura kulturore në vend, [që po] përballet me kërcënimin e menjëhershëm të prishjes.
Kjo listë identifikon monumentet, vendet dhe peizazhet më të kërcënuara në Evropë dhe mobilizon partnerë publik dhe privat në të gjitha nivelet për të gjetur një të ardhme të zbatueshme për këto gurë të çmuar të trashëgimisë.
Programi 7 më të rrezikuarit u lançua në vitin 2013 nga Europa Nostra me ndihmën e Bankës Evropiane të Investimeve si partner themelues dhe Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Evropës si partner shoqërues.
Ai mbështetet nga programi i Evropës Kreative të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit të rrjetit të Europa Nostra “Ndarja e trashëgimisë – vlera e ndarjes” (2017-2020).