Ministria e Shëndetësisë konfirmoi mbrëmjen e djeshme dy rastet e para me koronavirusin e ri
Gjendja e dy të prekurve babë e bir që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione. Qytetarët e moshave 54 dhe 28 vjeç kanë udhëtuar në rrugë tokësore nga Firence drejt Tiranës, nëpërmjet pikës së Hanit të Hotit me makinën e tyre personale.
Menjëherë pas shfaqjes së komplikacioneve ata lajmëruan urgjencën kombëtare ku u morën mostrat, të cilat u konfirmuan mbrëmjen e kaluar nga laboratori i virologjisë në IShP.
Strukturat e urgjencës kombëtare dhe ISHP janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet.
MSHMS përsërit thirrjen për qytetarët që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127, ku mjekët e urgjencës do t’i përgjigjen çdo rasti.
Përsërisim sërish masat e shtuara të higjenës, larja e duarve për 20 sekonda, higjenizimi i sipërfaqeve dhe vetë karantinimi pas shfaqjes së simptomave të gripit.
