Sot është 8 mars. Sot sipas shumë shqiptarëve është festa e nënës. Sot edhe sipas mamasë time është festa e nënës, e cila u zemërua me mua kur nuk e mora në telefon për ta uruar, por thjesht për ta pyetur se si është. Por si mund të festohet në një ditë si kjo e sotmja, kur ti di se përgjatë vetëm 2 muajve të fundit janë vrarë 5 gra? 5 gra janë vrarë nga bashkëshortët dhe ish bashkëshortët e tyre. Si mund të festosh kur e di se në vitin 2012 u vranë 28 gra, në vitin 2013 u vranë 24 gra, në vitin 2014 u vranë 10 gra, në vitin 2015 u vranë 18 gra, në vitin 2016 u vranë 12 gra, në vitin 2017 u vranë 15 gra, në vitin 2018 u vranë 16 gra dhe në vitin 2019 u vranë 12 gra?
Si mund të festosh në një kohë kur gratë shqiptare edhe kur nuk vriten, jetojnë në frikë për të ngritur zërin e tyre? Si mund të festosh, kur kemi emisione televizive të cilët justifikojnë dhunën? Madje bëjnë edhe më shumë. E justifikojnë dhunën duke u munduar ta shfaqin me nuanca romantike dhe mundohen të bashkojnë dhunuesin me viktimën. Si mund të festosh, kur ke një ministre arsimi e cila nuk dënon dhunën ndaj vajzave të reja që po përdhunohen çdo ditë në shoqërinë tonë, por sulmon ata që nuk kanë gjë në dorë? Si mund të festosh, kur gratë janë pa punë sepse ato duhet të kujdesen për familjen; të përdhunuara nëpër video dhe jo vetëm; të nënçmuara si qënie inferiore; të vrara se duhet të ruajnë nderin e familjes.
Sot nuk është festë. Sot dhe çdo ditë tjetër është momenti i duhur për të protestuar dhe ngritur zërin tonë që të mos kemi më gra të vdekura. Të mos lexojmë se si Drita Saliaj u mbyt me peshqir dhe u hodh në një rezervuar nga tre të rinj, njëri prej të cilëve ishte nipi i bashkëshortit të saj. Të mos lexojmë se si Enkeleda Çapoku u ekzekutua nga kunati i saj (ndaj të cilit kishte urdhër mbrojtje) të cilit i kishte lënë porosi bashkëshorti nga burgu që ti ruante nderin e gruas.
Të mos lexojmë se si Manjola Çuku (edhe ajo me urdhër mbrojtje ndaj të shoqit) sipas tij e tradhtonte. Ishte më e re se ai. Ai punonte në Greqi dhe kaq mjafton për të marrë jetën e një gruaje të re.
Të mos lexojmë se si Esmeralda Filopati (sërish me urdhër mbrojtje), të mos kishte mundësi të thoshte “jo nuk e dua më këtë njeri”.
Të mos lexojmë se si Hajdie Tasuni, në procedura divorci të vritet nga bashkëshorti me metër metalik e goditur 6 herë dhe pastaj ai të thotë “kishte 30 vjet që ma sillte në majë të hundës”
Përveç këtyre, të mos lexojmë komente që thonë se nuk të rreh apo vret kush kot, që në një farë mënyre e kanë merituar.
Sot ne kërkuam që policia e shtetit Shqiptar të jetë më përgjegjëse ndaj jetës së grave dhe ti marrë seriozisht denoncimet dhe urdhërmbrojtjet, që të mos përjetojmë më humbje të asnjë gruaje.
Prandaj sot nuk festuam, por protestuam edhe në emër të atyre që nuk munden më. Sot një nga aktivistet tha diçka që më mbeti në mend. Ajo tha “Armiku nuk është gruaja! Armiku nuk është burri! Armiku është ky sistem që burrin dhe gruan i vë kundër njëri-tjetrit sepse vetëm kësisoj mund të jetë mbi ne. Vetëm kolektiviteti, bashkimi dhe hedhja e hapave si një trup i vetëm do të na garantojë çlirim shoqëror e kësisoj, emancipim gjinor.”
Shikoni fotot dhe videot dhe do të kuptoni se dhimbja, zhgënjimi dhe zemërimi është prezent në çdo fytyrë që doli sot në rrugët e Tiranës për të kërkuar drejtësi për shumë shpirtra të humbur dhe siguri për shumë gra shqiptare të dhunuara.
Photo credit: Edlira Mara