Nga Liridona Sijarina, anëtare e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist në Kosovë.
“Personalja është politike” mbetet një prej thirrjeve të grave që i rimarrin hapësirat publike me 8 Mars, të vendosura për barazi gjinore dhe drejtësi shoqërore. Kjo thirrje i zhvendosë përvojat personale të grave, të përjashtuara nga publikja, në sheshe, pikërisht aty ku fillon çelja drejt politikes. Kjo thirrje, ndër thirrje të tjera, e afirmon shumësinë e subjekteve gra, të shtypura dhe të lëna në margjina të organizimit politik, ekonomik dhe shoqëror. Me anë të tyre, gratë e kundërshtojnë sistemin ekonomik e politik i cili pamundëson çfarëdo feste. Ndërkohë që grave iu mohohet vazhdimisht vlerësimi institucional, puna, hiseja në publike e edhe në private, iu cenohet jeta dhe liria – nuk ka çka të festohet. E gjithë kjo e ka për emërues të përbashkët bazën ekonomike, organizimi i së cilës është thellësisht i gjinizuar.
Padrejtësia ekonomike është baza mbi të cilën ngrihen padrejtësitë e tjera shoqërore, gjinore dhe racore. Kjo strukturë rëndon veçanërisht mbi supet e grave, duke i bërë ato fuqi punëtore kryesore që e mirëmban ekonominë globale dhe atë lokale. Të dhënat tregojnë se sistemi global kapitalist, sikundër ai lokal, përfiton në kurriz të grave. Në nivel global konsiderohet se ekonomia përfiton 10.8 trilionë dollarë nga puna e papaguar e grave. Madje edhe kur pranohen brenda ekonomisë së paguar, gratë i shërbejnë përfitimeve ekonomike, duke mbajtur pozita më të ulëta në krahasim me burrat, duke u paguar më pak dhe duke hasur diskriminime të shumëfishta. Ndarja e gjinizuar e punës i sfidon gratë të cilat punojnë në dy turne dhe nuk gëzojnë të drejta në asnjërin treg të punës, atë të paguar apo të papaguar. Ajo e ndan subjektin grua nga puna, duke e ngarkuar me punët që e lënë në imanencë të roleve tradicionale, sistematikisht të pavlerësuar nga politika ekonomike. Riprodhimi, i cili qëndron në thelb të ekonomisë, kujdesi dhe punët e shtëpisë, janë vendosur në domenin e privates, punë të pavalorizuara dhe iu ngarkohen grave. Riprodhimi shoqëror, i vendosur në rang më poshtë në hierarkinë e vlerave ekonomike e shoqërore, e ka shndërruar prodhimin në bazamentin e vlerësimit të punës, gjë që i eksploaton gratë dhe rrjedhimisht i nënshtron ato.
Sot, statusi që e gëzon 8 Marsi në Kosovë mbetet problematik, i uzurpuar nga komercializmi, antagonist me pozitën politike dhe ekonomike që e zë pjesa dërrmuese e grave në shoqëri. Kjo ditë shënon kontinuitetin fiktiv të traditës së proklamuar socialiste të shekullit të festimit të lirive dhe të drejtave, ndonëse kjo paradigmë nuk i ka prekur gratë kosovare.
Për më tepër, në pamundësinë e festimit të 8 Marsit në Kosovë qëndron kontradikta praktike. Gratë vazhdojnë të diskriminohen sistematikisht në çdo sferë të organizimit shoqëror. Në mënyrë të vazhdueshme grave iu mohohen të drejtat dhe liritë fundamentale, duke filluar nga muret e shtëpisë, aty ku shteti vështirë ndërhyn, deri në strukturat më të larta shtetërore ku gratë shihen si “tolerim” nga politika patriarkale. Gratë janë të përjashtuara nga tregu i punës dhe gëzojnë status dytësor në shoqëri. Me vetëm 13.7% të pjesëmarrjes në ekonominë formale, gratë vazhdojnë të jenë punëtoret, atributi i cili iu jepet nga identiteti i tyre gjinor dhe vazhdojnë të mos paguhen pikërisht mbi këtë. Rrjedhimisht, e drejta e grave për jetë, përjetimi i dhunës dhe pjesëmarrja politike, determinohen nga gjinia e tyre.
Vlerësimi i pabarabartë i grave si gjini e pamundëson festën. Në kushtet e një sistemi i cili ndërtohet mbi eksploatimin e forcës punëtore të grave, shtrohet nevoja për rimarrjen e 8 Marsit nga gratë, si subjekte të ndryshimit të pozitës së tyre. Përpjekjet neoliberale të fundshekullit të kaluar të cilat u karakterizuan nga iniciativa të shumta për “sistemimin” e grave brenda sistemit e shndërruan 8 Marsin në ditë konsumi. Megjithatë, kjo ditë e përqafuar nga politika globale ka origjinë socialiste dhe shënon luftën e vazhdueshme të grave për çlirim gjinor dhe klasor. Përplasjet identitare rëndom shfaqen në kushte të pabarazive të thella, të manifestuara në padrejtësi ekonomike. Kjo ka qenë cytja për organizim të grave brenda së majtës, si gjini, të drejtat e së cilës janë artikuluar dobët brenda çdo kritike të majtë ortodokse. E organizuar fillimisht si ditë ndërkombëtare e grave punëtore, si nismë e qarqeve të grave punëtore dhe prijëse për të drejtat e grave, si Clara Zetkin, feministe socialiste, shënon ditën e grave punëtore dhe paraqet përpjekjet e grave për çlirim politik nga patriarkati kapitalist. Kjo, bashkëngjitur me situatën aktuale, tregon për urgjencën e organizimit feminist që çdo ditë, e edhe me 8 Mars, të vazhdohet përpjekja për rimarrje të kësaj dite, si rruga e më e drejtë për progres gjinor.
Duke marrë legjitimim nga pozicionimi historik i grave në ekonomi, pashmangshmërisht e lidhur me politikën, lufta e grave për çlirim merr karakter ekonomik. Kjo lidhje e pashkëputshme e bazës ekonomike dhe çështjes së grave e determinon natyrën e 8 Marsit dhe i parashtron detyrat feministe që dalin nga kjo ditë. Mbi këtë, çdo 8 Mars, sikundër ditëve tjera, kërkohet ridefinim i ditës së grave në terma të vetë grave. Me këtë kërkohet drejtësi ekonomike si parakusht i arritjes së barazisë gjinore. E rrjedhimisht, përgënjeshtrimi i kushteve dhe cytjeve institucionale për festë.
Përderisa ne e zhvendosim politikën në rrugë, aty ku politikja e grave ka marrë kuptim historikisht, tradita e institucionalizuar për festë kërkon pajtim me status quonë. Pajtim ky i pamundur në kushtet faktike të pabarazisë. Të ardhura nga margjinat, përvojat e grave shndërrohen në revoltë dhe thirrje për ridefinim të sistemit dhe vetës në të. Të mëshiruara në thirrjet për drejtësi gjinore si detyrë e barazi si ideal, thirrjet feministe kërkojnë gjithëpërfshirje të kërkesave dhe nevojave të gjinive dhe grupeve të tjera, nevoja këto të dala nga padrejtësitë historike të bëra nga sistemi patriarkal. Kjo na prin majtas. Majtas për barazi e drejtësi shoqërore.
Manifestimi i 8 Marsit duhet të bëhet në termat tanë. Termat tanë thonë – rezistencë.
Shkrim i botuar në KOHA PËR GRATË 2020.