12 vite Kosovë, Newborn-i përkujton viktimat e dhunës seksuale

Dita e sotme shënon 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ditë kur u inaugurua dhe monumenti i njohur tashmë Newborn, i cili ç’do vit ndryshon ngjyrat e përmbajtjen.
Këtë vit, Newborn do të qëndrojë kryesisht i ngjyrosur me të zezë, në kujtim dhe nderim të viktimave të luftës e kryesisht të mbijetuarave të dhunës seksuale të ushtruar në masë gjatë luftës së Kosovës.
Vullnetarë të shumtë, kanë ngjyrosur monumentin, në mënyrë të tillë që të shndërrohet në akronim, ku secila shkronjë përmban një fjalë.
Monumenti këtë vit do të simbolizojë “Never, Ending, Wars, Bring, Oppression,Rape & Neglect.” që në shqip do të thotë “Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime e shpërfillje”.
Shkronja “W”, është e dizajnuar me lule të ndryshme shumë-ngjyrëshe, të cilat shpërndahen edhe në shkronjat tjera të këtij monumenti.
Për ideatorin e Newborn Fisnik Ismaili, këtë vit Newborni do të përkujtojë jo vetëm viktimat e luftës në Kosovë, por në të gjithë vendet e botës ku së fundmi ka pasur luftëra dhe konflikte.
