Pas shpalljes së Teatrit Kombëtar si një nga monumentet kulturore më të rrezikuara në Evropë nga Europa Nostra, organizata pan-evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, i është drejtuar zyrtarisht me një letër Presidentit të vendit Ilir Meta dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ku tregon sërish shqetësimin për planet për të prishur Teatrin Kombëtar.
Në letrat publike, të firmosura nga drejtuesi ekzekutiv i Europa Nostra Prof. Dr. Hermann Parzinger, nominimi i Teatrit në listën e 7 vendodhjeve më të rrezikuara konsiderohet si shumë i mundshëm dhe kërkohet rishikimi i planeve për prishjen e tij dhe bashkëpunim efektiv me shoqërinë civile për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
“Duke u nisur nga vlerësimi unanim, i shfaqur nga Paneli Këshillues për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me probabilitet shumë të lartë Teatri Kombëtar do të përzgjidhet si një nga “7 vendndodhjet më të rrezikuara”. Gjithashtu do të doja të shtoja që vendndodhje shqiptare janë përzgjedhur dy herë edhe në të shkuarën: Amfiteatri i Durrësit dhe Kishat Post-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq. Në të dyja rastet, Europa Nostra e gjeti bashkëpunim me aktorët shqiptarë pozitiv dhe efektiv, duke theksuar konsideratën dhe respektin që vendi juaj ka për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.” shkruhet në letrën drejtuar Presidentit Meta.
Asnjë nga 29 vendndodhjet e përzgjedhura më parë në programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” është prishur dhe do të ishte risi nëse një fat i tillë i mjerueshëm do të ishte rezervuar për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me gjithë mbështetjen e treguar në nivel kombëtar dhe Europian.
E njëjta letër i është dërguar dhe Kryeministrit Edi Rama.
Europa Nostra është një organizatë pan-evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, që përfaqëson organizatat e qytetarëve që punojnë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të vendeve të ndryshme të Evropës. Ajo është zëri kryesor për trashëgiminë pranë organeve ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe UNESCO.