Ka nisur një vit i ri kalendarik dhe fantazma e 2019-tës, ende vërtitet në ngjarjet e reja ende të papërvijuara mirë të 2020-tës. Çka është vënë re në komunitetin e vogëlth të facebookut, – të paktën të rretheve të aktivizmit dhe të drejtave të njeriut, i cili duket se ngushtohet progresivisht kur vjen puna te disa shkelje- nuk mund të ngelet pa përmendur, se ngjarjet që kanë pasuar shpalljen e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, – ndonëse më të rëndëishmet së paku në 10 vitet e fundit, sa i përket sektorit minerar dhe organizimit punëtor,- kanë patur si barrierë terrin mediatik (lexo më shumë).
Që prej themelimit të sindikatës, aktivistët e Organizatës Politike, të cilët kanë qenë përkrah minatorëve dhe të pranishëm në organizimet e tyre, nga procedurat ligjore, deri te greva 10-ditore, kanë intensifikuar edhe në Tiranë veprimtarinë për mediatizimin dhe informimin në lidhje me situatën në Bulqizë. Graffitit që kanë mbushur muret e Tiranës, dënojnë pronarin e Albchrome, njëkohësisht dhe njeriun më të pasur të Shqipërisë Samir Manen, për pushimin nga puna të Elton Debreshit, Beqir Duricit, Behar Gjimit dhe Ali Gjetës, si dhe kërcënimin e dhjetra sindikalistëve të tjerë.
“Samir Mane vjedh shqiptarët / shtyp minatorët / shtyp punëtorët”, ishin disa prej shkrimeve me të cilat u gdhi Tirana e datës 20 dhjetor, të cilat u duk se patën mobilizuar gjithë punëtorët e pastrimit të porositur me urdhër nga lart, për t’i fshirë.
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2020/01/79803980_119226992900977_2272141762346614784_o-880x660.jpg)
Sakaq, aktivitetet e tjera vijuan me shpërndarjen e fletushkave për të bojkotuar bizneset e Samir Manes, duke sjellë vëmendjen në situatën kritike të minatorëve të Bulqizës, u hapën edhe banderola gjigande në kryqëzime rrugësh të rëndësishme, si dhe në taracën e ndërtesës së Teatrit të Operas dhe Baletit. Ndërsa së fundmi, teksa aktivistët shpërndanin fletët informuese në një prej bizneseve më të mëdha në pronësi të të sipërmendurit, në qendrën tregëtare Tirana East Gate (TEG), 7 aktivistë u shoqëruan në komisariatin e policisë, teksa 3 prej tyre u mbajtën në paraburgim për plot 3 ditë. Akuzat ishin të sajdisura në të atillë formë, ku qartazi dukej se arsyeve politike të arrestimit të aktivistëve, nuk u gjendej dot një justifikim ligjor më i mirë. Në tubimin e gjyqit të aktivistëve morën pjesë edhe minatorët e pushuar nga puna, ku shprehën mbështetjen për aktivitetin e organizatës dhe aktivistëve jo vetëm më praninë e tyre, por edhe në fjalimet që mbajtën tre prej sindikalistëve të pushuar nga puna, Elton Debreshi, Beqir Durici dhe Behar Gjimi.
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2020/01/81046225_1056168948068723_6949693389180764160_n.jpg)
Mirëpo, edhe pas lirimit të tyre, Organizata Politike ka vijuar me aksionet me graffiti në muret e pashkruara dhe të pafshira ende. Teksa aktivistët u kujdesën që të rishkruajnë parullën “Samir Mane shtyp punëtorët e Bulqizës” pikërisht në qendrën sociale “Logu i Shkëndijës”, në murin e sterrosur prej punonjësve të bashkisë ose më keq akoma – të të porositurve drejtpërdrejt nga Samir Mane – u arrestua një tjetër aktivist. Në datën 31 dhjetor, teksa afërmendsh njerëzit duhet të ishin pranë familjeve të tyre në ndërrimin e motmoteve, policia e shtetit dhe/apo rojtarët e rendit ekzistues oligarkik, nuk ngurruan të na tregojnë se policimi i jetës dhe aktivitetit shoqëror është gjithnjë vigjilent në kujdesin e ruajtjes së status-quosë.
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2020/01/81214597_2546878718770965_4817589172959182848_n-1.jpg)
Duket se ky Vit i Ri, do të mbartë dhe do të rrisë me kujdes pjellën e ngjizur me fanatizëm në vitet e ashtuquajtura “të demokracisë”, që përjetoi Shqipëria – përbindëshin censurë, frikën dhe dhunën. Kështu, për minatorët e pushuar nga puna dhe aktivitetin sindikalist të tyre, Viti i Ri ka nisur pa larë hesapet e vjetra. Sindikata e Minatorëve të Baskuar të Bulqizës vazhdon paepur aktivitetin e saj deri në rikthimin në punë të minatorëve të pushuar dhe plotësimit të kërkesave të tjera (lexo më shumë). Po njësoj duket se vijon dhe aktivisteti dhe mbështetja e aktivistëve të Organizatës Politike bashkë më ta në Bulqizë, paralelisht me ta në Tiranë dhe lipset mobilizimi i mbarëshoqërisë deri në fitore.
Liri Kuçi