GagaOOLala quhet platforma mediatike aziatike, e frymëzuar nga Netflix, e cila përmban vetëm prodhime filmike dhe seriale apo shfaqje televizive me tematikën queer.
Një komedi romantike që flet për jetën e një stjuardese lezbike dhe një romancë me avull që ndodh në një sauna mes disa djemve gej, janë vetëm dy nga shfaqjet që mund të gjenden në GagaOOLala, shërbimi i parë i Azisë, i përqendruar në komunitetin LGBTI+.
Platforma e quajtur si një nga frazat më të njohura të njërës prej këngëve më të dëgjuara të ikonës së komunitetit LGBTI+ Lady Gaga, ka për qëllim të bëhet platforma më e përhapur ndër shtetet aziatike, pasi kohët e fundit është zgjeruar nga Tajvan në 21 shtete të reja.
Themeluesi Jay Lin tha se legalizimi në Tajvan i martesës brenda të njëjtit seks “na lejoi të shtojmë mundësitë për të bindur sponsorët, platformat apo qeveritë e vendeve përkatëse, që ta shohim përfaqësimin e komunitetit LGBTI+ si diçka që është e dobishme për ta gjithashtu.”
Marrëdhëniet homoseksuale mbeten të paligjshme në një numër të vendeve ku GagaOOLala është lancuar, duke përfshirë Singaporin dhe Brunein.
Disa shtete, siç është Malajzia, shkojnë aq larg sa për të censuruar tematikat LGBT+, censurojnë dhe filmat biografikë të personazheve më të njohur të skenës botërore që janë pjesëtarë të komunitetit LGBTI+ apo përkrahës së tyre.
Në një intervistë me The Japan Times, drejtuesi iplatformës, shpjegoi se qëllimi i tij është të tregojë thellësinë dhe gjerësinë e përvojës LGBT+.
“Një nga shtysat kryesore për mua për të krijuar GagaOOLala, është të shpërndajë sa më shumë informacion dhe të hedh poshtë mitet dhe konceptet e gabuara që shumë njerëz mund të kenë për njerëzit LGBT,” tha ai.
Tashmë më shumë se 280,000 njerëz janë pajtuar në shërbim, ndërsa kompania njoftoi se ka nisur përpjekjet për shtrirjen edhe në më shumë shtete, me fokus kryesor shtetet aziatike ku ka ende shumë rrugë për të bërë në pranimin e komunitetit LGBTI+.
Burimi: PinkNews
Burimi i fotos: GagaOOLala