Ç’do mbrëmje të Vitit të Ri, qytetet tona ndizen nga ngjyrat e fishekzjarreve, ndërsa djegia e tyre emeton dhjetëra ton gaz karbonik dhe ndotës të ndryshëm në atmosferë.
Fishekzjarret shkaktojnë ndotje të konsiderueshme të ajrit dhe emetojnë kimikate të dëmshme që mund të shkaktojnë probleme shëndetësore të formave të ndryshme.
Me afrimin e natës së ndërrimit të viteve, mijëra qytetarë nga qytete të ndryshme të bktës bënë thirrje për një kontroll më të madh mbi përdorimin e fishekzjarreve dhe madje ndalimin e tyre në qendra të mëdha.
Zjarret e shumta në pyje dhe djegiet që vazhduan për javë të tëra në Nju Uells të Australisë, sollën rritjen e ndotjes së ajrit në nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë në Australi dhe spektaklet e fishekzjarreve mund të përkeqësojnë më tej problemin.
Ndërsa në rrethinat e Sidnejt, ka ende rreth 100 vatra zjarri ende të pashuara, qyteti mori vendim për mos-ndalimin e përdorimit të fishekzjarreve gjatë natës së ndërrimit të viteve, duke shkaktuar protesta të shumta dhe peticione kundër vendimit.
Por edhe në Europë, janë shtuar zërat për ndalimin e shfaqjeve piroteknike dhe përdorimit të fishekzjarreve nga qytetarët.
Shqetësimet për ndryshimin e klimës dhe pasojat e fishekzjarreve në të, kanë bërë që disa shitës me pakicë të heqin fishekzjarret nga raftet këtë vit në shumë qytete të Gjermanisë.
Rreth 30 qytete dhe komuna në Gjermani, përfshirë Berlinin, Hamburgun dhe Mynihun, kanë vendosur një ndalim të plotë ose të pjesshëm të fishekzjarreve private gjatë natës së Vitit të Ri.
Një vendim të ngjashëm ka marrë dhe qyteti i Parisit dhe Nju Jorkut, duke ndaluar shitjen e fishekzjarreve dhe mjeteve piroteknike për përdorim personal dhe duke reduktuar shfaqjet e tyre gjatë vitit të ri.
Edhe në Tiranë, prej 2 vitesh tashmë, fishekzjarret janë të ndaluara për përdorim vetjak, duke ulur numrin e aksidenteve dhe padyshim dhe ndotjen e ajrit gjatë natës së ndërrimit të viteve.
Pasojat Mjedisore
Fishekzjarret ndosin atmosferën me një mori kimikatesh, shumë prej të cilave mund të dëmtojnë si njerëzit ashtu edhe mjedisin. Ngjyrat e gjalla në to vijnë nga komponime metalike si bariumi dhe alumini, që mund të kenë ndikime negative në shëndetin e kafshëve dhe njerëzve.
Aksioni mjedisor Gjerman (DUH), një grupim mjedisor një Gjermani, u ka bërë thirrje gjermanëve të paraqesin kërkesa në bashkitë e tyre lokale për të ndaluar përdorimin e fishekzjarreve private.
Sipas tyre përdorimi i fishekzjarreve në natën e Vitit të Ri, emeton rreth 5 tonë lëndë grimcë të imët – një sasi e barabartë me 16% të emetimeve të grimcave të imëta që vijnë nga trafiku vjetor i makinave.
Në vigjilje të vitit të ri 2020, pritet që shqetësimet në lidhje me klimën të kthehen në kryefjalë të zhvillimeve politike kudo rreth botës dhe dekada e ardhshme do sjellë ndryshime të shumta dhe në zakone e tradita si ato të festimit të ndërrimit të viteve.