Pas miratimit të dy projektligjeve “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” nga Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvend, organizatat e medias dhe shoqëria civile në Tiranë njoftuan organizimin e një proteste kundër miratimit të këtyre projekligjeve në Parlament.
Pas debateve të shumta me gazetarë dhe përfaqësues së medias, kërkesave të përfaqësisë së Bashkimit Evropian në Tiranë, zyrës së OSBE për lirinë e medias dhe organizatave vendase dhe ndërkombëtare të medias për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, deputetët e mazhorancës në Komision sërish miratuan nen për nen dhe në parim propozimin për ndryshime ligjore.
Ditën e mërkurë, në sheshin përballë Parlamentit, nën thirrjen #MosnaPREKfjalën, gazetarë, përfaqësues së medias dhe shoqërisë civile dhe qytetarë të Tiranës do të protestojnë kundër cënimit të një prej të drejtave themelore të njeriut, lirisë së fjalës dhe shprehjes, e cila nuk mund të kushtëzohet në asnjë formë nga iniciativa ligjore të propozuara dhe të miratuara nga institucione një-partiake.
Ditën e djeshme, thirrjes për mos-miratimin e ndryshimeve ligjore i është bashkuar dhe Shoqata e Gazetarëve të Kosovës.
Shoqata thotë se ndryshimet në ligjin për mediat audiovizuale dhe ligjin për komunikimet elektronike rrezikojnë të censurojnë drejtpërdrejtë median online dhe rrezikojnë seriozisht lirinë e shprehjes.
E drejta e fjalës në çdo vend demokratik, thuhet në deklaratë, trajtohet nga kodet e etikës dhe organet vetërregulluese të medias.
Ndërkohë që theksin te vetërregullimi e kanë vendosur dhe gazetarët pjesëmarrës në mbledhjen e djeshme të Komisionit, duke kundërshtuar dhënien e autoritetit gjykues një institucioni politik si AMA apo AKEP.
“Ky draft përmban në vetvete probleme jashtëzakonisht serioze me institucionalizimin e censurës në të paktën dy institucione ekzekutive, që parashihen se do të kenë të bëjnë me arkitekturën e re të Autoritetit të Medias Shqiptare, sikundër është parashkuar të quhet AMA. Këshilli i Ankesave dhe bordi i AMA-s në këtë draft, nuk janë gjë tjetër veçse një agjenci censure, dhe për këtë kemi të njëjtin mendim të gjitha organizatat mediatike” – tha Aleksandër Çipa, drejtues i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
“..një mekanizëm censure për median e lirë dhe sidomos median, e cila vjen përmes komunikimeve elektronike, pra për mes domaineve dhe portaleve mediatike. Shqipëria është ndërkohë në një periudhë të vështirë, sepse nuk ka as Gjykatë Kushtetuese, që të rrëzojë ligje të tilla” – tha përfaqësuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj.
Ndërsa në një intervistë për Zërin e Amerikës, Flutura Kusari, këshilltare ligjore e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias, e quajti paketën “shkelje e të gjitha standardeve që garantojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave”. Në këtë mënyrë, tha ajo, AMA do të jetë enti që do të vendosë se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të raportohet nga gazetarët.
“Kjo është tronditëse,” tha zonja Kusari. “Është e paqartë se çfarë do të ndodhë me mediat nëse kjo paketë ‘antishprehje’ miratohet.”
Kundër ndryshimeve ligjore kanë dalë publikisht dhe përfaqësues së opozitës parlamentare dhe jo-parlamentare. Partia Demokratike thirri ditën e djeshme një tryezë me gazetarë dhe përfaqësues së mediave, ku u përball me kritikat e gazetarëve dhe u zotua për kundërshtimin e ndryshimeve ligjore të parashikuara nga qeveria. Ndërkohë deputetja Fatjona Dhimitri, kryetare e Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik gjithashtu njoftoi bojkotimin e seancave të kuvendit deri në hedhjen poshtë të këtyre dy projektligjeve, ndërsa kundër tyre është deklaruar dhe deputetja Rudina Hajdari, e cila zhvilloi një konferencë për shtyp ku ritheksoi rëndësinë e respektimit të rekomandimeve të OSBE dhe partnerëve ndërkombëtarë në vendimmarrje të tilla.