Prej gati një jave, aktivistë të sindikatave punëtore në botë, të cilët kanë ndjekur zhvillimet dhe represionin e ushtruar nga kompania Albchrome ndaj sindikatës së minatorëve të Bulqizës, kanë ndërmarrë një peticion nëpërmjet “Labour Start”, kundër nëpërkëmbjes së vazhueshme dhe shkeljeve ndaj kërkesave të punëtorëve. “Labour Start”, është një platformë mediatike, e mbështetur nga një rrjet botëror vullnetarësh, nëpërmjet së cilës synohet jo vetëm shëkmbimi i informacioneve në lidhje me kauzat dhe organizimin punëtor, por edhe mbështetja e tyre nëpërmjet fushatave online dhe nxitja e hapave të tjerë të nevojshëm solidarizues.
Nën titullin “Albania: Solidarity with the miners – end repression now”, është çelur fushata, e cila tashmë vazhdon të qëndrojë e hapur prej një jave, duke bërë thirrje për solidaritet dhe mbledhjen e sa më shumë firmave në mbështetje të kauzës së minatorëve të Bulqizës.
Në solidaritet me Sindikatën e Miniatorëve të Bashkuar të Bulqizës, bashkimit të parë demokratik të punëtorëve të minierave, të pavarur nga partitë politike dhe punëdhënësit në Shqipëri, “Labor Start” thekson siç vijon:
Liria e organizimit dhe kontratat kolektive janë të drejta themelore të mbrojtura nga konventat kryesore të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) Nr. 87 dhe 98. Që nga ratifikimi i tyre mbi gjysmë shekulli më parë, këto të drejta janë përfshirë në ligjin shqiptar.
Ne kërkojmë që qeveria e Shqipërisë dhe Albchrome të respektojnë standardet ndërkombëtare të punës dhe të respektojnë ligjin shqiptar që mbron të drejtën e minatorëve në Bulqizë për të krijuar sindikata të lira, demokratike dhe të pavarura, të afta të negociojnë për paga të drejta dhe punë në kushte të dinjitetshme. Ndal shtypjes ndaj punëtorëve që ushtrojnë të drejtën e tyre për lirinë e organizimit, rikthimi në punë i kryetarit dhe sindikalistëve të tjerë dhe të fillojnë negociatat e vërteta kolektive me punëtorët dhe sindikatën e tyre.”
Kjo fushatë do të zgjasë derisa të mblidhet një numër i konsiderueshëm firmash, për të vazhduar edhe më pas me mekanizmat e presionit ndërkombëtar, deri në afrimin e zgjidhjes përfundimtare të problemit të sindikatës në Bulqizë. E derisa, të bëhet i mundur funksionimi normal dhe i lirë i veprimtarisë së SMBB-së në përputhje me legjislacion vendor dhe ndërkombëtar, duket se do të jetë një rrugë e gjatë përpara deri në zbatimin e konventave të miratuara në letër, por të mohuara në bazë të ligjit të më të fortit.