Pas tërmetit tragjik që preku rëndë edhe zonën e Durrësit, pasgoditjet kanë vijuar në mënyrë konstante, që prej mëngjësit të 26 nëntorit. Këto lëkundje kanë ekspozuar dëmtime të tjera në ndërtesat e amortizuara prej goditjeve të mëdha. Kështu, bilancit të të prekurve nga ngjarja, i shtohen vazhdimisht numra të tjerë familjesh, të cilat kanë nevojë për strehim të sigurt dhe shëbime të tjera të nevojshme.
Të ndodhur sot në qytetin e Durrësit, pranë gjimnazit “Leonik Tomeo”, i cili shërbente si vend grumbullimi i ndihmave të mbledhura për qytetarët, dukej se mbizotëronte rrëmuja dhe pasiguria. Dhjetra qytetarë shpreheshin, se përveç që nuk dinin ku do ta kalonin natën e sotme, një pjesë e tyre me keqardhje pranonin, se edhe ushqim nuk kishin pasur mundësi të merrnin. Ankoheshin se nuk ka organizim dhe informim mbi atë çka do të bëhet me ta dhe familjet e tyre më tej.
“U bënë tri net që fle në makinë me gruan dhe me dy fëmijët 6 dhe 4-vjeç. Jemi të palarë, pa gjumë dhe deri më tani kemi harxhuar dhe lekët që kishim me ushqime. Sot shkuam në familjen e gruas në Mamurras që ndërruam fëmijët, u dhamë për të ngrënë dhe erdhëm sërish këtu për të parë se çfarë do të ndodhë me ne,” u shpreh për Historia Ime, Mehmeti 37-vjeçar. “Nuk kanë ardhur të interesohen se ku do të qëndrojë populli që po jeton nëpër makina. Kam fëmijët për të rritur, për sa gjatë mund të shkojë kështu?!” pyet me lot në sy ai.
Të tjerë thonë, se ka moskoordinim dhe zvarritje, pasi duhet të shkojnë në Bashki për të marrë vërtetimin që mund të marrin ushqime falas, ndërsa kur vijnë me dokumentacionin e kërkuar pranë vendgrumbullimeve të ndihmave, përballen me heshtje dhe pritje për orë të tëra në të ftohtë. “Unë e kam burrin invalid dhe duhet të vërdallisem rrugëve për letra, ndërkohë që mua më është rrënuar shtëpia dhe nuk kam ku të fle”, tha Monda e nervozuar prapa kangjellave të gjimnazit “Leonik Tomeo”.
![](https://i0.wp.com/www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/11/WhatsApp-Image-2019-11-29-at-20.01.021.jpeg?fit=1024%2C768&ssl=1)
Gjatë orëve të pasdites, oborri i shkollës dukej i tejmbushur me thasë ndihmash për qytetarët, të cilët duket se transportoheshin diku, por nuk dihej ku me siguri. Teksa hymë për të ofruar ndihmë vullnetare në shpërndarjen e ushqimeve, na thanë me të shpejtë se ato ndihma do të magazinoheshin sipas nevojës së komunave. Polici, i cili na lejoi të hynim brenda oborrit të shkollës, iu drejtuam për ta pyetur se çfarë do të bëhet me qytetarët që kërkojnë ushqim dhe strehim, ai ngriti supet i keqardhur dhe uli kokën. Ndërsa, për më pak se dy orë teksa intervistonim banorët e zonës, kuptuam se në oborr nuk kishin ngelur më thasë ndihmash. Në një situatë të tillë, e vetmja gjë që arritëm të kuptonim me siguri ishte çorganizimi.
“Po të mos ishte për kosovarët moj bijë, do kishim ndenjur në shi dhe të pangrënë si qeni. Po mirë që janë ata dhe i ftillojnë njëçikë këta tanët, se ja shiko, jemi katandisur si në burg që shtrijmë dorën për një copë buke pas hekurave,” ishte revolta e një zonje pa familje, që e kishin strehuar mbrëmë në ambientet e një shkolle, vetëm me ndihmën e disa vullnetarëve kosovarë të cilët e kishin gjetur duke qarë përballë gjimnazit.
Gjithashtu, të tjerë persona konfirmuan se ndodhen përpara një situate kaotike dhe të painformuar se ku do të gdhihen edhe për një natë tjetër. Të lënë në mëshirë të fatit, të frikësuar për ndonjë tërmet tjetër të beftë, të ftohtin dhe shirat, si dhe nën panikun e mungesës së banesave të tyre – janë këto copëzat që mbushin fotografimin e trishtë të situatës aktuale nga qyteti i Durrësit, 3 ditë pas mëngjesit të kobshëm të së martës së 26 nëntorit. Ndonëse, mediat transmetojnë pareshtur imazhet e figurave shtetërore për menaxhimin dhe mobilizimin e të gjitha strukturave institucionale – dhe jo vetëm, – në realitet, qytetarët ndihen të braktisur, të gënjyer dhe të nëpërkëmbur.
Imazhet nga Durrësi, të kujtojnë një qytet të sapodalë nga lufta. Ndërsa, rrugët plot trafik në hyrje dhe dalje të tij, dëshmojnë urgjencën e banorëve për ta braktisur.