Dita e sotme nisi me një aksion të IKMT për prishjen e banesave që ndodhen në gjurmën e Unazës së Re.
Në orët e para të mëngjesit, forcat e Inspektoriatit dhe forca të Policisë kanë rrethuar banesat në zonën e Astirit dhe kanë nisur prishjen e tyre.
Veprimet e forcave policore, i gjetën të papërgatitur banorët, dhe prej disa orësh tashmë ka tensione mes banorëve të Astirit dhe policisë.
Banorët kanë bërë rezistencë, duke i goditur me gurë dhe sende të forta efektivët e policisë që ndodhen në vendngjarje.
Nga përplasja e dhunshme ka disa të plagosur, ndërkohë që policia ka shoqëruar disa persona. Nuk ka ende një njoftim zyrtar mbi numrin e të shoqëruarve, por mes tyre ka dhe aktivistë që kanë shkuar për mbrojtjen e kauzës së banorëve të Astirit.
Nga disa pamje të siguruara nga LSA shihet se policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e njerëzve, ndërsa banorët i kanë vënë zjarrin dhe një tende.
Disa banorë janë ngujuar në taracat e shtëpive për të ndaluar prishjen e tyre.
Mbi ngjarjen në fjalë ka reaguar institucioni i Avokatit të Popullit.
Në një deklaratë zyrtare, Avokati i Popullit bën thirrje që Policia të menjanojë përleshjet me qytetarët. Ekipet e AP janë në terren për të dëshmuar nga afër gjithçka që po ndodh e për ta referuar atë më pas me paanësi, thuhet në njoftimin e AP.

Policia rrugore ka bllokuar qarkullimin e automjeteve në zonë, ndërsa burime pranë policisë së Tiranës raportojnë 5 efektivë të plagosur dhe 7 qytetarë.
Policia e Shtetit gjithashtu në një reagim për mediat u bën thirrje qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat dizinformuese.
Mbi situatën ka reaguar dhe Presidenti Ilir Meta.
Kreu i shtetit thotë se është e papranueshme dhuna e përsëritur sot ndaj banorëve të Unazës së Re, të cilët protestojnë në mbrojtje të shtëpive dhe të pronave të tyre.
“Arroganca përballë mjerimit dhe traumës që po u shkaktohet këtyre familjeve për muaj të tërë është e patolerueshme. Banorët të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve dhe palët të ulen menjëherë në dialog”, thuhet në reagimin e Presidentit.
Ndërkohë Bashkia Tiranë ka përshëndetur aksionin e policisë duke deklaruar se ka nisur sot që prej orëve të para të mëngjesit prishja e të gjitha ndërtimeve të kompensuara te zona e Astirit, për t’i hapur përfundimisht rrugën realizimit të projektit për Unazën e Madhe, që do të çlirojë Tiranën nga trafiku.
Vijon…