Marshimi Dyke është një protestë, e cila pasi u organizua për herë të parë në vitin 1993 në qytetin e Washington-it nga grupi i aktivisteve politike “Lesbians Avengers”, u kthye në traditë të përvitshme në qytete të ndryshme të botës.
Anne-Christine d’Adesky, themeluesja e marshimit të parë dyke është shprehur se qëllimi kryesor i këtij mobilizimi ishte rritja e vëmendjes ndaj vajzave dhe grave lesbike.
Fjala “dyke” ka patur konotacion diskriminues dhe është përdorur me qëllim intimidimin, përçmimin dhe dhunimin e vajzave dhe grave për shkak të orientimit të tyre seksual. Kjo është arsyeja, se pse komuniteti i grave dhe vajzave lesbike vendosi ta përvetësojë këtë fjalë duke e përdorur atë si instrument fuqizimi që përfaqëson forcën, pavarësinë, lirinë seksuale dhe krenarinë për veten.
Këtë vit i njëjti mobilizim do të ndodhë edhe në Tiranë duke e shndërruar qytetin në një hapësirë mikpritëse dhe dinamike për pjesëmarrës të të gjitha seksualiteteve, gjinive, racave, moshave, etnive, klasës dhe aftësisë fizike.
Organizimi i Marshimit Dyke në Tiranë ka për qëllim fuqizimin dhe rritjen e vizibilitetit të vajzave dhe grave lesbike, queer, biseksuale, transgjinore, interseksuale dhe me gjini diverse.
Pjesa dërrmuese e këtyre vajzave dhe grave përballen çdo ditë me diskriminimin, bullizmin dhe dhunën për shkak të orientimit të tyre seksual, identitetit e shprehjes gjinore dhe karakteristikave të seksit.
Më datë 8 nëntor ora 18:00, na u bashko në Sheshin Skënderbe për të marshuar si vajza dhe gra solidare dhe të bashkuara, pavarësisht diversitetit që përfaqësojmë, për të fuqizuar dhe frymëzuar shoqet, mikeshat, të dashurat dhe veten, jo vetëm për shkak të dashurisë dhe rëndësisë që mbartim, por sepse është koha të rifitojmë vendin që na takon në hapësirën publike dhe të ndryshojmë realitetin e prekshëm që na stigmatizon dhe vendos pikëpyetje mbi të drejtat dhe liritë tona themelore.
Ku nis marshimi?
Marshimi nis më 8 nëntor ora 18:00, në Sheshi Skënderbe dhe do të vijojë përgjatë zonës së Bllokut.
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2019/11/72960138_10217672999949922_7747614895922741248_n-Copy.jpg)