TransBalkan është një dokumentar fotografik i cili sjell në fokus çështjen e personave transgjinorë në rajonin e Ballkanit.
Autori Aleksandar Crnogorac, i cili në punën e tiij fotografike i dedikohet dokumentimit të aspekteve të ndryshme të eksperiencës njerëzore, ka udhëtuar nëpër të gjithë cepat e gadishullit Ballkanik për të takuar, intervistuar dhe fotografuar më shumë se 60 persona nga vende, besime, kultura dhe mbi të gjitha eksperienca të ndryshme tranzicioni.
Pas shfaqjes së ekspozitës ne Serbi, Kroaci, Maqedoni e Veriut, Kosovë, Norvegji dhe Bullgari tashmë “Trans Balkan” vjen edhe në Tiranë dhe do të jetë e hapur për publikun prej datës 6 deri në 11 Nëntor pranë Europe House (Rr. Papa Gjon Pali 2).
Qëllimi i këtij projekti është të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit mbi komunitetin transgjinor të Ballkanit duke promovuar një botëkuptim më të thellë të këtij komuniteti në publik.
Duke u përqëndruar në aspektin personal të eksperiencave të këtyre individëve, ekspozita Trans Balkan e fton audiencën të njihet nga afër me persona transgjinorë që jetojnë në rajonin tonë dhe në këtë mënyrë të ndërgjegjësohen mbi vështirësitë dhe realitetin që ata përjetojnë në Ballkan.
Ekspozita shfaqet në Tiranë në kuadër të Konferencës rajonale të ERA’s “Të drejtat tona, e ardhmja juaj” në datat 6-9 Nëntor dhe zhvillohet me mbështetjen e Europe House.
Biografia e autorit:
Aleksandar Crnogorac ka lindur në Vienë në vitin 1979 nga prindër me origjinë jugosllave. E kaloi fëmijërinë e tij në Beograd (Jugosllavi) dhe më pas studio në Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (B.A Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike, Universiteti i Kalifornisë së Jugut; M.A në Studime Mesdhetare, Kings College Londer, Britani e Madhe; M.A në Fotografi, Instituti SPEOS, Paris).
Në punën e tiij fotografike ai i dedikohet dokumentimit të aspekteve të ndryshme të eksperiencës njerëzore. Në shumë prej punëve të tij, autori eksploron lidhjen midis aspektit fizik të eksperiencës njerëzore, duke kërkuar lidhjen midis trupit njerëzor dhe identitetit personal.
Aktualisht ai jeton dhe punon midis Milanos dhe Beogradit dhe përqëndrohet në realizimin e dokumentareve si dhe fotografi komerciale apo portrete.