Bedria, 61 vjeçe, lindi në Shqipëri si vajzë. Duke ndjekur traditën e burrneshave, sot ajo jeton dhe ka marrë përsipër rolin gjinor të një burri në Shqipëri.
Një ditë ajo merr një telefonatë nga një vajze e re e quajtur Adela, e cila dëshiron të ketë një jetë të pavarur në Shqipërinë patriarkale dhe pret të marrë përgjigje nga Bedria.
Dokumentari i Kristine Nrecaj dhe Birthe Templin, i përfunduar vetëm disa muaj më parë, pritet të shfaqet ditën e Mërkurë në sallën Black Box të Akademisë së Arteve, në orën 19:00.
Filmi dokumentar hedh një vështrim në rolin e grave dhe burrave në Shqipëri dhe sa kanë ndryshuar këto role gjinore mes gjeneratash.
Bazuar në traditën e Burrneshave, filmi shtron pyetje të drejtpërdrejta mbi emancipimin, mundësitë e barabarta dhe ndërtimit dhe ruajtjes së roleve gjinore në shoqërinë shqiptare.
Filmi vjen si pjesë e “Tetorit Gjerman”, mbështetur nga ambasada gjermane në Tiranë.
Hyrja është e lirë dhe filmi do të ndiqet nga një panel diskutimi me të ftuar aktivisten për të drejtat e grave Sevim Arbana dhe sociologun Zyhdi Dervishi, për të folur më në detaje mbi realitetet e ndryshme e të ngjashme të Bedries dhe Adelës dhe shume grave e vajzave të tjera në situata të ngjashme me to.
Burimi i fotos: Birthe Templin