Serbi, Bosnje, Kosovë – Sfidat e komunitetit LGBT

Gjatë muajt shtator, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, përkatësisht kanë organizuar javën e krenarisë, që kanë kulmuar me paradat LGBTIQ, në kryeqytetet e vendeve përkatëse.
Gjatë muajt tetor nga data 7 deri me 10 në Kosovë do të mbahet gjithashtu java e krenarisë, që do të kulmojë të enjten e 10 tetorit me paradën që do të mbahet në Prishtinë.
Në përgjithësi Ballkani Perëndimor po përballet me shumë sfida në zbatimin e të Drejtave të Njeriut, veçanërisht në respektimin e të drejtave të komunitetit LGBTIQ.
Bosnja dhe Hercegovina
Bosnja dhe Hercegovina kanë organizuar për herë të parë paradën e krenarisë, paradë kjo, e cila është mbajtur në Sarajevë mes frikës dhe entuziazmit.
Grupet fetare radikale kishin paralajmëruar antiprotesta, deri në përplasje fizike çka bëri që mbi 2000 forca policie të ishin në gatishmëri me 8 shtator kur u mbajt kjo paradë.
Amina Imamoviç, aktiviste për të drejtat LGBTIQ nga Sarajeva, thotë se pjesëmarrja ishte rreth 3000 persona, ndërsa veç aktivistëve LGBTI kishte pjesëmarrje edhe nga grupet e tjera mbështetëse të kauzës.
“Para marshimit të Parë të Krenarisë, atmosfera në vend ishte shumë entuziaste, por dhe me frikë. Një javën para marshimit, ne patëm dy kundërprotesta, një protestë tjetër, dy ditë para marshimit, dhe tjetra në të njëjtën ditë. Ato protesta u organizuan nga grupe fetare dhe tradicionaliste.
Ne jemi të lumtur të themi se kemi pasur një marshim shumë të suksesshëm, ku pjesëmarrja ishte më shumë se 3.000 njerëz, jo vetëm nga komuniteti i LGBTIQ i BiH, por edhe nga, punëtorë, romë, dhe feministë/e. Marshimi ka treguar solidaritet, antifashizëm dhe shpresë për një të nesërme më të mire”
Më tej aktivistja Amina Imamoviç ka folur edhe për diskriminimin e madh që po përjeton komuniteti LGBTIQ në Bosnje e Hercegovinë.
“Shumë persona LGBTIQ po jetojnë me frikë. Frika nga refuzimi në familje e shoqëri, frika nga dhuna fizike, ekonomike, sociale, pushimi nga puna. Shumë persona LGBTIQ duhet të fshehin identitetin e tyre seksual me prindërit, miqtë dhe kolegët e tyre.”shprehet Imavoviç.
Kuadri ligjor
Bosnja mund të konsiderohet si një nga vendet, e cila nuk ka pothuajse asnjë ligj që ndalon diskriminimin e personave LGBTIQ, gjë e cila ka sjellë vështirësi të mëdha për këtë komunitet.
“Këtu nuk ka një ligj të na mbrojë, këtu ende nuk respektohen të drejtat themelore të njeriut.
Shoqëria dëshiron që ne të jetojmë jetën tonë mes 4 mureve, pasi ata mendojnë se ne po kërkojmë privilegje, dhe jo të drejtat themelore tonat. Por nga ana tjetër keni shumë njerëz që e kuptojnë se lufta jonë nuk është vetëm për ne, është lufta për të gjithë ne, është lufta për një shoqëri më e mire”-thotë Amina Imamoviç
Serbi
Me datën 15 shtator, edhe në kryeqytetin Serb, në Beograd u mbajt parada e krenarisë, e cila mblodhi mijëra aktivistë jo vetëm serbë, por edhe nga rajoni e Evropa.
Një panoramë të përgjithshme të situatës së komunitetit LGBTIQ në Serbi, e jep për “Historia Ime” Selena Agatonoviç, aktiviste për të drejtat LGBTIQ në Beograd.
“Tradita është e rrënjosur thellë në vendet e Ballkanit, gjithashtu edhe në Serbi. Një pjesë e madhe e shoqërisë nuk e kupton nocionin e diskriminimit dhe dhuna ndaj komunitetit LGBT + është ende e përhapur, gjë që shihet nga raportet e OJQ-ve.
Dhuna dhe diskriminimi është i përhapur, dhe nuk merr reagimin e duhur nga autoritetet.
Serbia në pjesën më të madhe është një shoqëri konservatore, dhe situata në qytete më të mëdha sa i përket diskriminimit dhe sjelljes homofobike është mjaft e ndryshme sesa në pjesët rurale të vendit. Aty, dalja hapur, nënkupton të etiketosh jo vetëm veten, por tërë familjen tënde, miqtë dhe gjithçka që ti bën do të jetë e paragjykuar, e dhunuar e përbuzur” ”-shprehet Agatonoviç.
Kuadri ligjor
Aktivistja Agatonoviç është shprehur se këtë vit organizatat për të drejtat e njeriut, që kanë organizuar “Beograd Pride” kanë kërkuar nga qeveria që të miratojnë ligjin që dy persona së të njëjtit seks, t’u njihet statusi i partneritetit.
“Këtë vit ne kemi kërkuar, miratimin e ligjit për çiftet e të njëjtit seks, miratimin e ligjeve të identitetit gjinor, dhe reagim të shpejtë dhe të duhur nga autoritetet shtetërore kur raportohen gjuhë urrejtjeje dhe krime të urrejtjes ndaj komunitetit LGBT +. Pavarësisht se ka një Kryeministër që është bërë prind pasi partneri i saj ka lindur, çiftet e të njëjtit seks ende nuk mund të birësojnë me ligj fëmijë, sepse shteti nuk i njeh ata si prindër. Ndërsa ligji për identitetin gjinor nuk ekziston” shprehet Agatonoviç.
Në vitin 2020 në Beograd do të organizohet “Euro Pride” gjë e cila po shihet nga aktivistët, si një gjë e cila do të ndikojë pozitivisht jo vetëm për Serbinë, por për tërë Ballkanin perëndimor.
“Organizimi i “EuroPride” do të bëjë që problematikat e komunitetit, të shihen më qartë, dhe komuniteti evropian, do ta detyrojë qeverinë serbe të veprojë dhe bashkëpunojë me shoqërinë civile.
Shpresojmë që kjo gjë të kthejë vëmendjen e Evropës ndaj dhunës dhe diskriminimit me të cilin përballet ky komunitet çdo ditë dhe shpresojmë se do t’i ndihmojë njerëzit të kuptojnë më mirë çështjet LGBT +, duke theksuar se gjithçka që kërkohet është e drejta e barabartë, asgjë më shumë.”-thotë Agatonoviç
Kosovë
Edhe në Kosovë java e krenarisë do të organizohet e datat 7 deri me 10 tetor, ndërsa situate e komunitetit LGBTIQ, shihet se ka pasur një përparim të lehtë, por ende diskriminimi dhe dhuna fizike, dhe psikologjike mbeten sfida të mëdha.
Në një raport të viteve 2015 dhe 2015 të organizatave ndërkombëtare, Kosova renditet si një nga vendet me homofobe në Ballkanin Perëndimor.
Aktivisti Blert Morina, thotë se ky komunitet përballet me diskriminim ditor, që fillon nga familja e vijon në rrugë, e shoqëri.
“Te qenit LGBTI në Kosove do të thotë, që do hasësh diskriminim në baza ditore, duke filluar nga familja e tutje. Do të jetosh jetë të dyfishtë, nuk do i marrësh shërbimet e nevojshme, do hezitosh të raportosh rastet në instancat më të larta, do kesh presion social të vazhdueshëm.”-shprehet Blert Morina.
Por rastet e diskriminimit, dhe mospranimit të personave LGBTIQ në familje dhe shoqëri, shkojnë deri në ekstrem.
“ Në Kosovë, ka pasur rast kur ka qenë një e mitur e komunitetit, dhe është detyruar të martohet sepse fëmija ka kuptuar që është pjesë e komunitetit LGBTI. Raste tjera si largimi nga shtëpia, janë të shpeshta.
Për shkak të mungesës së një strehimoreje në Kosovë, ne jemi detyruar që personat që largohen nga familja t’i dërgojmë në Shqipëri”-thotë më tej aktivisti Blert Morina.
Kuadri Ligjor
Si ligji kundër diskriminimit ashtu edhe Kodi Penal në Republikën e Kosovës, janë mjaft të avancuar atje, por ajo që i ka munguar vendit, është zbatimi i këtyre ligjeve.
“Kosova përveç ligjit kundër diskriminimit, por edhe kodin penal i kemi mjaft të avancuara. Ne Kodin Penal hyn si vepër penale, diskriminimi në 7 nën ligje. Mirëpo, si çdo dokument tjetër edhe këto ligje kaq progresive kanë mbetur vetëm në letër. Shkalla kaq e lartë e homofobisë, është pikërisht sepse këto ligje nuk gjejë zbatueshmeri në praktikë. Kjo në një formë i legjitimon pastaj të gjithë që të ushtrojnë dhunë fizike, e psikologjike, sepse në fund askush nuk do marrë dënimin e merituar.
Madje edhe në tekstet shkollore përmbajnë gjuhë diskriminuese, gjuhë urrejtje, e dezinformacion, duke shkruar se anëtarët e komunitetit LGBTI janë të sëmurë, madhe edhe të çmendur.”-shprehet Blert Morina.
/ Për HistoriaIme, Isa Myzyraj