Suedia, vendlindja e aktivistes për klimën Greta Thunberg, është dhe vendi më i shqetësuar për ndryshimin e klimës në BE.
Sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Eurobarometri, brenda Bashkimit Evropian ka perceptime të ndryshme përsa i përket rrezikut që i kanoset njerëzimit nga ndryshimet klimaterike.
Sipas gjetjeve të sondazhit, 50% e suedezëve të anketuar menduan se ngrohja globale ishte çështja më serioze me të cilën përballet bota sot.
Gjithashtu sondazhi nxorri në pah një lidhje të drejtë midis Prodhimit të Brendshëm Bruto të ceilit shtet të BE-së dhe përqindjes së të anketuarve që mendojnë se ndryshimi i klimës është shqetësimi numër një.
Pas Suedisë, renditen Danimarka, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, shtete me një normë të lartë të ardhurash, ndërsa Bullgaria, vendi më i ulët në indeksin e PBB-së së BE, është në fund të sondazhit, me vetëm 10% të të anketuarve, që cilësojnë ngrohjen globale si rrezikun më të madh të së ardhmes.
Bullgarët e konsiderojnë terrorizmin ndërkombëtar si çështjen më serioze, por si në të gjithë BE-në, shqetësimi për të po bie në krahasim me sondazhin e fundit të vitit 2017.
Shqetësimi për ndryshimin e klimës është rritur në çdo vend të BE-së gjatë dy viteve të fundit, sipas Eurobarometer.

Burimi: Euronews