Protesta me portretet e vjedhura dhe kokëposhtë të presidentit francez

Qindra aktivistë kanë marshuar në qytetin e Bayonne, pikërisht pranë vendit ku janë mbledhur udhëheqësit e G7 në Biarritz, teksa mbanin të përmbysur portretin e Presidentit Francez Emmanuel Macron të vjedhur nga selitë bashkiake nga e gjithë Franca.
Aktivistët për mbrojtjen nga ndryshimet klimaterike, synonin të nxirrnin në pah hendekun midis premtimeve të presidentit francez për zgjidhjen e situatës së ndryshimeve klimatike dhe në anën tjetër, politikat reale të qeverisë së tij.
Protesta erdhi si kulminacion i një lëvizjeje të lindur si mosbindje civile në harkun kohor të një muaji, kohë gjatë së cilës, aktivistët kanë “rrëmbyer” portretet zyrtare të Presidentit Macron nga ndërtesat e bashkive të qyteteve të ndryshme.
Aktivistët morën 128 portrete zyrtare të Makronit para protestës, nga ku, pesëdhjetë e shtatë prej aktivistëve do të duhet të paraqiten në gjykatë për portretet e vjedhura.
“Ky është një portret bosh që simbolizon boshllëkun e politikave të Emmanuel Macron,” u shpreh Gaël, një aktivist i kauzës mbi ndryshimet klimatike, në marshimin në Bayonne. “Ai nuk po respekton angazhimet e tij në favor të mjedisit dhe koha po mbaron.”
Një tjetër protestuese, Esther, tha që politikanët shpesh bënin premtime të mëdha për qëllime që shpresojnë të arrihen deri në vitin 2050. “Por ne duhet të veprojmë tani,” vijoi ajo.
Aktivistët thanë se protestës iu bashkuan 900 aktivistë, protestë e cila ishte e paautorizuar.
Sakaq, një prani tejet e lartë e forcave policore ka penguar qytetarë të tjerë të dilnin në rrugë për të protestuar.
Aurélie Trouvé, zëdhënësja e grupit të Alternativave G7 që mbajti kundër-protesta në samitin e G7, deklaroi se ata po përpiqeshin të anulonin një protestë të planifikuar pranë Biarritz, pasi atje u arrestu një nga aktivistët kryesorë mobilizues të këtyre aksioneve.
“Ne nuk mendojmë se është e arsyeshme të vazhdojmë me të tilla akte proteste në këto kushte. Jemi të keqardhur për këtë shtet policor që po na pengon ta kumtojmë gjerësisht këtë mesazh politik. Mirëpo, ne duam ta vazhdojmë më tej nismën, sepse jemi e vetmja shtysë e kësaj veprimtarie” përfundoi Trouvé në një intervistë të dhënë për EuroNews drejpërdrejt nga protesta.
Turistët që ndodheshin për vizitë në vend, gjithashtu përmendën praninë e rënduar të policisë në zonë. /l.k/