Sindikata “Solidariteti” proteston përpara Gjykatës së Shkallës së Parë
Ditën e sotme aktivstë, anëtarë të sindikatës “Solidariteti” dhe punëtorë të qendrave të kontaktit, mbajtën një manifestim përpara Gjykatës së Shkallës së Parë për të kërkuar njohjen e statusit juridik të sindikatës.
“Prej mëse 5 muajsh, sindikata endet nëpër gjykata si trup pa shpirt”, shprehet një ndër themeluesit dhe anëtarët e Solidaritetit. “Në momentet, kur më së shumti na duhet statusi ligjor i sindikatës, instancat përkatëse po na zvarritin proceduralisht. Ndoshta, një ndër arsyet që kompania AlbaCall nuk denjon të marrë seriozisht çështjen e ngritur prej punëtorëve për mosuljen e pagave, mund të jetë dhe statusi i pakonfirmuar i sindikatës, në të kundërt kompania nuk do të guxonte të merrte përsipër një rol, i cili do të rezultonte i rrezikshëm nëse sindikata do të ishte në baza të rregullta ligjore. Në këto ujëra gjithçka i ngjason një komploti të pakuptimtë ndaj organizimit punëtor, apo lobimeve okulte të qendrave të kontaktit në gjykatë, teksa sindikata tanimë ekziston. ”- vijoi sindikalisti.
Disa nga pankartat të cilat mbanin në dorë të pranishmit shkruanin: “Njih sindikatën”, “Kur Sindikata është realitet, Gjykata ç’pret?”, “Njohja e sindikatës është e drejtë ligjore”.
Sakaq, anëtarët e sindikatës, në deklaratën e lexuar për mediat, u shprehën se ata do ta ndjekin çështjen deri në finalizimin e suksesshëm të statusit juridik të sindikatës në gjykatë.
Komunikatën e mbyllën me thirrjen “Të drejtat e punëtorëve janë të drejtat e njeriut”.