Paketa anti-shpifje, mes rregullimit të tregut mediatik dhe censurës
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/07/fake-news-660x330.jpg)
Pas prezantimit të paketës ligjore “anti-shpifje” nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj javën e shkuar, ku synohet rregullimi i tregut të medias online përmes rregjistrimit të portaleve mediatike, blogjeve dhe hapësirave online si subjekte tatimore, kane qenë të shumta reagimet kundër kësaj iniciative ligjore.
Zërat kritikë e cilësojnë paketën anti-shpifje si një ligj të pastër censure, i cili bie ndesh me lirinë e fjalës dhe të shtypit.
Zërave kritikë ju shtua ditën e djeshme dhe OSBE, e cila mbetet skeptike ndaj paketës së prezantuar.
Sipas përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias në Vjenë, Harlem Désir, bllokimi ose pezullimi i botimeve në internet konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes, ndaj pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të tjera të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masa të tjera nuk mund të zbatohen.
Legjislacioni i ri duhet të respektojë standardet dhe angazhimet e OSBE-së për lirinë e shprehjes dhe që të mos ndikojë negativisht në lirinë e medias në vend.
Me këtë ligj, përveç gjobave për mediat online të parregjistruara, ato dhe mund të mbyllen, kur publikohen 5 lajme të rreme nga e njëjta media.
Një reagim zyrtar për ligjin pritet dhe nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë.
Gjatë një prononcimi për RTSH, ambasadori Luigi Soreca ka thënë se qeveria do të shqyrtojë përfundimet që BE do të ketë për këtë projektligj.
“Ne e dimë që Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj të medias. Si delegacioni i BE-së ashtu edhe Komisioni Europian kanë përgatitur opinionin e tyre në lidhje me këtë dhe kjo ka ndodhur në fakt në pranverën e këtij viti. Ky është një projektligj shumë i rëndësishëm, ne po përgatisim komentet tona, të cilat do t’ia dorëzojmë qeverisë dhe jemi të sigurt që qeveria më pas do t’i marrë ato në shqyrtim me vëmendjen dhe kujdesin që ato meritojnë” nënvizoi Soreca.