Komisioni Europian ka publikuar vlerësimin e tij për programin e pestë të reformave ekonomike që mbulon periudhën 2019-2021, i hartuar nga qeveria shqipare.
Në komentet e tij, Komisioni Europian e vë theksin te niveli i lartë i borxhit publik, mbledhja e taksave nën potencial, niveli i ulët i konkurrueshmërisë, papunësia e lartë tek të rinjtë, cilësia e ulët të edukimit, mungesa e vlerësimit të rrezikut për pagesat që duhen bërë për projektet e partneritetit publik privat (PPP) etj.
Komisioni konstaton se ndonëse investimet e Shqipërisë në arsim dhe shëndetësi kanë qenë nën mesataren e rajonit, ato parashikohet të ulen më tej. Në të kundërt, rritja e projekteve me partneritet publik privat sjell rreziqe kyçe që minojnë planet për reduktimin e deficitit, raporton Monitor.
Komisioni i referohet shifrave të FMN-së, sipas të cilës PPP-të kanë arritur një vlerë prej 31% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) dhe pritet të shtohen edhe me 15% të PBB-së në 2019-n. Kjo rritje e PPP-ve nuk po shoqërohet me shtim të stafit që do të ishte në gjendje të monitoronte dhe vlerësonte këto kontrata dhe projekte komplekse. Kjo nënkupton që detyrimet financiare publike të lidhura me PPP-të nuk po adresohen si duhet dhe nuk po regjistrohen nga ana statistikore.
Raporti e kritikon Shqipërinë dhe për informalitetin e lartë dhe nivelin e ulët të të ardhurave publike, që qeveria nuk ka marrë angazhim t’i rrisë, megjithëse janë nën potencial, teksa rekomandon që vendi nuk ka nevojë të rrisë taksat, por të shfrytëzojë hapësirën që ka nga evazioni fiskal.
Investimi i Shqipërisë në arsim dhe shëndetësi ka qenë nën mesataren rajonale dhe programi ekonomik i qeverisë planifikon të ulë edhe më tej pjesën e shpërndarjes së buxhetit në arsim dhe shëndetësi.
Rritjet e planifikuara për investime publike duhet gjithashtu të përdoren për financimin e arsimit, shëndetësisë dhe kërkimit, dhe ky investim duhet të jetë më efikas dhe më efektiv.
Qeveria ka në plan të ulë akoma fondet tashmë të ulëta në arsim (që do të bien nga 2.5% në 2.2% të PBB), shëndetësi (e cila do të bjerë nga 3.0% në 2.7% të PBB) dhe mbrojtje sociale (që do të bien nga 9.0 % në 8.6% të PBB-së) gjatë periudhës së programit. Këto plane alokimi nuk ndihmojnë për të trajtuar ikjen e trurit dhe mungesat e fuqisë punëtore të kualifikuar, thuhet në raport.
Sfida të tjera me të cilat përballet Shqipëria, sipas Komisionit janë:
- Konkurrueshmëria e Shqipërisë vazhdon të pengohet nga mungesa e efikasitetit në sektorin e energjisë, duke përfshirë sigurimin e pamjaftueshëm të furnizimit.
- Sektori i turizmit në Shqipëri ka një potencial të madh, por është i pazhvilluar.
- Papunësia dhe inaktiviteti i lartë i të rinjve, punësimi i ulët i femrave, përqindja e lartë e punësimit joformal dhe të pambrojtur, shërbimet e pamjaftueshme të kujdesit social dhe cilësia e ulët e arsimit janë gjithashtu pengesa kryesore.
Burimi: Monitor