Asnjë vend nuk do ta arrijë barazinë gjinore deri në vitin 2030
Sipas indeksit të parë matës, në lidhje me progresin e disa prej objektivave të pranuara ndërkombëtarisht, asnjë vend në botë nuk është në rrugën e duhur për arritjen e barazisë gjinore së paku deri në vitin 2030.
Melinda Gates, bashkëdrejtuese e Fondacionit Bill dhe Melinda Gates, tha se njoftimet e indeksit “duhet të shërbejnë si thirrje për shkundjen e njerëzve”.
Madje edhe shtetet nordike, të cilat janë vlerësuar më pozitivisht në indeks, do të duhet të ndërmarrin hapa më të mëdha drejt përmbushjes së angazhimeve mbi çështjet gjinore dhe qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm (SDG), ku gjithësej kanë nënshkruar 193 vende që nga viti 2015. Këto qëllime konsiderohen si busull në lidhje me përpjekjet globale për t’i dhënë fund varfërisë dhe pabarazisë si dhe për të ndaluar krizën klimatike. Afati i fundit për t’i përmbushur ato është viti 2030.
Pasi është hulumtuar në 129 vende mbi progresin e bërë, indeksi i përhershëm i “SDG Gender” ka nxjerrë në pah se 2.8 miliardë gra dhe vajza aktualisht jetojnë në vende, në të cilat nuk po bëhen mjaftueshëm përpjekje për të përmirësuar jetën e tyre.
Nënfaqësimi i grave në parlament, hendeku gjinor i pagave dhe dhuna me bazë gjinore, ishin ndër fushat kryesore, ku të gjitha vendet po përpiqen që t’i përmirësojnë.
Vetëm 21 vende arritën rezultate relativisht pozitive me tregues mbi 80, përkatësisht: Danimarka paraqet indeksin më të lartë me 89.3 pikë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar, erdhi në vendin e 17-të me tregues 82.2.
Alison Holder, drejtore e kësaj nisme deri në 2030, tha: “Unë nuk shoh ndonjë vend, i cili ka ndërmarrë veprimet e duhura ambicioze për të trajtuar probleme që mbeten ende të pazgjidhura, madje as vendet që kanë rezultuar me indekset më të larta, ku reflektohen ende probleme në masë.”
Pjesëtarë të tjerë të grupit, të cilët kanë ndjekur këtë studim, janë shprehur me shqetësim lidhur me përparimin e ngadaltë, duke i parë me skepticizëm frikë edhe arritjet aktuale dhe se ato mund të zhbëhen, për shkak të valës së rikthimit të ligjeve kundër abortit në SHBA. Ndërkohë, sfidat ndaj angazhimeve për të drejtat e grave në Kombet e Bashkuara. SHBA renditen në vendin e 28-të dhe me një rezultat prej 77.6 pikësh në indeks.
Këto të dhëna studimore të mbledhura në rang global, janë shqetësuese, pasi kësisoj u lihet dorë qeverive të tjera që të vijojnë me abuzimet kundrejt të drejtave të grave. Në anën tjetër, partitë, që janë kundër të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, po bëhen gjithnjë e më të forta dhe janë në gjendje të kenë më shumë ndikim në arenën politike ndërkombëtare.
Lexo më shumë mbi studimin: https://data.em2030.org/2019-global-report/