13 vende të BE-së mbështesin integrimin e Ballkanit Perëndimor
Një lajm pozitiv vjen nga Brukseli, ku Ministrat e Jashtëm të 13 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, kanë përsëritur mbështetjen e vazhdueshme për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në deklaratë, i bëhet thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian, që në takimin e qershorit, të marrë vendim për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Deklarata e përbashkët është nënshkruar nga Italia, Austria, Malta, Estonia, Lituania, Letonia, Bullgaria, Kroacia, Rumania, Çekia, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia.
Fillimi i negociatave në qershor të vitit 2019 do të kontribuojë në forcimin e qëndrueshmërisë së vendeve ndaj interesave të jashtme, dhe të dëmshme, të aktorëve të tjerë, dhe do të sigurojë që BE-ja do të vazhdojë të jetë lojtari kryesor për një transformim pozitiv të rajonit.
Shefat e diplomacisë së 13 vendeve anëtare të BE-së, theksojnë se është thelbësore të vazhdohet me procesin e integrimit të Ballkanit Perendimor, dhe sipas tyre, krahas me këtë proces, nuk ekziston plani B.
Ata njëkohësisht kanë nënshkruar këtë deklaratë si vazhdim të përpjekjeve për zgjerimin e mëtejshëm të unionit, opozita ndaj së cilës udhëhiqet nga Franca dhe Holanda.
Komisioni Evropian ka rekomanduar ndërkohë hapjen e pakushtëzuar të negociatave të anëtarësimit për Shkupin dhe Tiranën.
Debati në Këshillin e Bashkimit Evropian do të mbahet gjatë muajit qershor, megjithatë, për shkak se këto çështje kërkojnë pajtim mes shteteve anëtare të BE-së, në këtë moment, nuk ka qëndrim të përbashkët të BE-së për të konfirmuar rekomandimin e Komisionit Evropian.