Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe Pro LGBT, zhvilluan takimin e radhës në implementimin e projektit ”Lufta kundër diskriminimit dhe mbrojtjes të së drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri” në kuadër të programit ”Matra”, i cili është ngritur për të forcuar kapacitetin e institucioneve publike në vende që janë në fazën e para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për të nxitur zhvillimin e shtetit të së drejtës në përputhje me kriteret e pranimit në BE nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet (gjysmë) publike holandeze.
Me mbështetjen e Bashkisë Kukës, u trajnuan përfaqësues të institucioneve përgjegjëse mbi të drejtat dhe integrimin e personave të komunitetit LGBTI në sektorin publik.
Marije Cornelissen, në cilësinë e ekspertes së të drejtave të njeriut, është marrë posaçërisht me mbarëvajtjen dhe trajnimin profesional të pjesëmarrësve.
Në takim pati përfaqësues nga institucione të ndryshme publike të qytetit të Kukësit si; përfaqësuese nga Qendra e Grave, juriste, psikologe, punonjëse sociale të sektorit të Shëndetësisë, përfaqësues nga Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve, specialiste për Dhunën në Familje, përfaqësues nga Inspektoriati i Punës etj.
Ky trajnim do të konkludohet me hartimin e një plan-veprimi lokal me aktorët që do të marrin pjesë në vendimmarrje dhe procesin e lehtësimit për përfshirjen, të drejtat e komunitetit në shoqëri dhe përkatësisht në integrimin e tyre në institucionet publike.
Gjithashtu, është me rëndësi të theksohet se aktivitetet do të zhvillohen në përputhje me Planin Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI në Republikën e Shqipërisë, 2016 – 2020.