Festivali FemArt – Me Liri kundër Marres

Në datat 10-16 Qershor në Prishtinë do të mbahet edicioni i shtatë i festivalit feminist FemArt, i cili mbledh artiste nga i gjithë rajoni, të cilat me artin dhe performancat e tyre synojnë të promovojnë një jetë me më shumë liri dhe më pak paragjykime.

Titulli i edicionit të këtij viti është “Me Liri kundër Marres” (Freedom vs. Shame), një titull që kërkon të fuqizojë gratë dhe vajzat e të inkurajojë përballjen e tyre me sfidat që hasin për shkak të realitetit patriarkal të shoqërive tona.
Festivali organizohet nga Qendra për Art dhe Komunitet, Artpolis dhe pritet të përfshijë rreth 200 artiste dhe aktiviste nga Kosova, rajoni, Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika si edhe rreth 30 vullnetarë/e, të rinj/reja nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që të rrisë pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e fuqizimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon dhe zbutjen e metnalitetit patriarchal dhe shtypës.
Gjithashtu ky festival është pjesë e iniciativës së aktiviteteve kushtuar 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës.
Festivali përcveç performancave artistike, ekspozitave dhe instalacioneve, do të shoqërohet dhe me panele diskutimi mbi tematika të ndryshme rreth feminizmit dhe çështjeve të barazisë gjinore, me punëtori dhe debate që kanë për qëllim nxitjen e diskutimit mbarëkombëtar në vend mbi tematikat që prekin shumicën e grave, dhe jo vetëm, në përditshmërinë e tyre.
FemArt këtë vit do të sjellë një këndvështrim ndryshe mbi trajtimin e problematikave gjinore, në një kohë kur çështjet e barazisë gjinore dhe trajtimit të grave dhe komuniteteve të margjinalizuara në shoqëri kanë qenë kryefjala e muajve të fundit kudo në rajon. Për më shumë mbi festivalin, mund të informoheni në llogarinë tyre zyrtare në Facebook.