Java e aktiviteteve mbi të drejtat e njeriut dhe komunitetit LGBTI +

Ditën e sotme nisi zyrtarisht java e aktiviteteve në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (IDAHOT). Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi një takim me institucionet dhe përfaqësues të grupeve të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave LGBT. Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca
theksoi rëndësinë e vazhdimit të punës dhe angazhimit institucional për zbatimin më tej të rekomandimeve dhe përpjekjeve për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT+ në Shqipëri.
Në takimin e ditës së sotme, të pranishëm ishin dhe zëvëndës kryetarja e parlamentit dhe njëkohësisht kryetarja e komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut Vasilika Hysi, përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Brian Williams dhe drejtuesja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë Jutta Gutzkow.
Në kuadër të IDAHOT, u soll sërish në vëmendje rëndësia që respektimi i të drejtave LGBT+ ka për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë shqiptare.
Gjatë fjalës së saj Xheni Karaj, drejtuese e Aleancës kundër diskriminimit LGBT, foli për problematikën e diskriminimit në shoqëri dhe mungesës së mbështetjes institucionale, pavarësisht se masat ligjore mund të jenë ndërmarrë tashmë prej disa vitesh.
Besimi te institucionet mbetet ende i ulët ndër individët e komunitetit dhe mungojnë veprimet konkrete nga pjesa më e madhe e institucioneve të perfshira në planin e veprimit. Duke përmendur gjetjet e raportit të publikuar javën e shkuar nga organizatat e mbrojtjes së të drejtave LGBT, Karaj u bëri thirrje institucioneve për një angazhim më të frytshëm dhe për të përforcuar më tej rekomandimet e planit të veprimit.
Gjithashtu, po ditën e sotme, organizatat e mbrojtjes së të drejtave të komunitetit LGBTI+, morën pjesë në në tryezën e konsultimit me temë “Identifikimi i problematikave dhe vështirësive të hasura gjatë veprimtarisë së mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe rekomandimet përkatëse për nxitjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së tyre”, e cila u mbajt pranë zyrave të kryesisë së kuvendit me pjesëmarrës jo vetëm nga shoqëria civile dhe organizatat e angazhuara për të drejtat e njeriut, por edhe deputetë të parlamentit të Shqipërisë. Klotilda Bushka në fjalën e saj, u theksoi problematika të ndryshme lidhur me zbatueshmërinë e të drejtave të njeriut dhe përmendi në mënyrë të veçantë rritjen e numrit të raportimeve sa i përket rasteve të korrupsionit dhe të tjera që lidhen drejtpërdrejt me të drejtat e njeriut.
Në këtë takim, mbajti fjalën e saj dhe aktivistja e komunitetit LGBTI+, Xheni Karaj, e cila shtroi çështjen e gjuhës së urrejtjes kryesisht në media, drejtuar kryesisht grave dhe anëtarëve të komunitetit LGBTI. “Duke qenë se ndodhemi në kohën teksa është në shqyrtim Kodi Penal, do të ishte mirë që të konsideroheshin dhe sanksione që lidhen me gjuhën e urrejtjes dhe linçime që i bëhet figurës së aktivistit në Shqipëri. Kjo nuk ndodh vetëm me komunitetin, por edhe me gratë dhe aktivistët studentë përgjatë protestave, duke i intimiduar dhe linçuar ata”, përfundoi Xheni. Pas kësaj, Vasilika Hysi njëkohësisht dhe moderatore e kësaj tryeze konsultuese, u dakordësua me sugjerimet sa më sipër dhe sqaroi se këto sugjerime mund të bëhen pjesë e Rekomandimit nr.15, çështje për të cilën do të organizohet një tjetër takim i posaçëm vetëm me gazetarë që të njihen më mirë me të, si dhe të konsiderojnë shtesa apo ndryshime të tjera në lidhje me gjuhën e urrejtjes dhe jo vetëm.
Ndërkohë, java do të vazhdojë të jetë e mbushur me aktivitete në kuadër të Tirana Pride 2019. Për më shumë informacion mbi aktivitetet, mund të ndiqni faqen në Facebook.