Parlamenti evropian dhe rëndësia e tij në mbrojtjen e të drejtave të njeriut
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/05/eu-parliament-flags.jpg)
Duke luftuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut brenda shteteve të BE-së dhe duke dënuar njëkohësisht trajtimet abuzive në shtetet jashtë hapësirës evropiane, Parlamenti Evropian ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë gjithë këtyre viteve si mbrojtës i të drejtave të njeriut.
Parlamenti shpeshherë ka treguar vizion dhe kurajo që u ka munguar institucioneve të tjera qendrore të BE apo strukturave të vendeve anëtare:
- Ndërkohë që shtetet anëtare të BE nuk po ja dalin dot të menaxhojnë në mënyrën e duhur përgjegjësitë dhe refugjatët që vijojnë të dynden drejt brigjeve të Italisë, Parlamenti Evropian që prej vitit 2009 po bën thirrje për krijimin e një mekanizmi përbashkues për shpërndarjen e barabartë të azilkërkuesve në të gjithë shtetet anëtare.
- Parlamenti Evropian ishte zëri më i fuqishëm kundër masave anti-demokratike të ndërmara nga Viktor Orban në Hungari, duke nxitur Këshillin e Evropës të marrë masa kundër partisë të Orban e cila vijonte të ishte pjesë e familjes më të madhe politike në BE.
- Ndërkohë që qeveria italiane ishte shteti i parë i G7-ës që ju bashkua nismës kontroverse të Kinës për bashkëpunim ekonomik, Parlamenti Evropian ngriti sërish alarmin për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë, përndjekjen e komuniteteve fetare dhe minoriteteve etnike në vend, duke bërë thirrje për vendosje të sanksioneve nga ana e BE-së dhe krijimin e një grupi monitorues për situatën e krijuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Këto janë vetëm tre nga shembujt e shumtë që mund të marrim mbi rolin që PE ka brenda dhe jashtë kufijve të BE-së, si institucion që garanton respektimin e të drejtave bazike të njeriut dhe përshtatjen e politikave të brendshme dhe të jashtme të BE-së ndaj parimeve të përbashkëta demokratike. Në të njëjtën kohë, Parlamenti është një politikbërës, që merr pjesë në vendimmarrjen e barabartë mes shteteve anëtare dhe ndihmon në bashkërendimin e politikave që janë shumë të rëndësishme për qytetarët, duke filluar nga cilësia dhe pastërtia e ajrit, siguria ushqimore apo kushtet e sigurisë fizike në vendet e punës dhe deri te mbrojtja nga diskriminimi, ruajtja e privatësisë, mbrojtja e sipërmarrjes dhe tregëtisë.
Zgjedhjet e 26 Majit do të përcaktojnë nëse vlerat themelore të BE mbi dinjitetin njerëzor, demokracinë, zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, do të vijojnë të jenë kryefjala e veprimtarisë së Bashkimit Evropian.
Kur mendoni për zgjedhjet e Bashkimit Evropian, mendoni për të drejtat e njeriut. / k.j
Burimi: Human Rights Watch